Zgjedhjet lokale, votojnë të sëmurët dhe të burgosurit

18.10.2025 18:17

Procesi i votimit sot ka nisur për 8 848 personat e sëmurë...

Procesi i votimit sot ka nisur për 8 848 personat e sëmurë. Deri në orën 15:30 minuta të drejtën e tyre të votës e kanë realizuar gjithsej 5 385 votues. Nga gjithsej 2.162 persona që janë duke vuajtur dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim, të drejtën e votës e kanë ushtruar 810 votues.

Në institucionet e përkujdesjes së pleqve, nga gjithsej 442 persona të vendosur në këto institucione, kanë votuar 135 votues. Procesi i votimit për të gjitha këto kategori votuesish po zhvillohet pa pengesa dhe pa asnjë parregullsi, njoftojnë nga KSHZ. Gjithashtu menjëherë është tejkaluar edhe problemi i vetëm në komunën e Novo Sellës, me gabime në numrat rendor të këshilltarëve komunalë.

“Ky gabim është korrigjuar dhe tanimë është dorëzuar material në komunën e Novo Sellës dhe votimi për të sëmurët, sot do të realizohet pa ndërprerje dhe të gjithë do të realizojnë të drejtën e votës.” – deklaroi Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Vetëm në burgun e Idrizovës në kryeqytet për të votuar janë paraqitur 1.840 persona. Procesi i votimit këtu zhvillohet pa problem.

“Vendvotimi u hap në kohë, në shtatë të mëngjesit. Procesi po zhvillohet më së miri. Shpresoj se deri në mbyllje të votimit do të jetë kështu. 1.840 persona duhet të votojnë. Vendvotimi duhet të mbyllet në ora 19. Shpresoj gjithçka të shkoj mirë.” – tha Kryetarja e Komisionit Zgjedhor në Idrizovë, Jadranka Mitievska.

Në burgun e Idrizovës, por edhe në institucionet e tjera ndëshkuese do të zhvillohet votimi në rrethin e dytë, vetëm për ata të burgosur, komuna e të cilëve nuk arrin me votimin e së dielës të nxjerrin kandidatin fitues.

Nga KSHZ njoftojnë se votat e sotme nuk do të publikohen, por të njëjtat do t’i bashkangjiten votës së trupit votues nesër dhe bashkërisht do të publikohen pas përfundimit të procesit zgjedhor.

Sot, më 18 tetor 2025, po zhvillohet procesi i votimit për personat e sëmurë dhe të paaftë, personat që janë duke vuajtur dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim, si dhe për personat që janë paraqitur për votim dhe janë të vendosur në institucionet e përkujdesjes jashtëfamiljare. (Meral Ismaili, TVM2)