Gazë, nis kërkimi i trupave nën rrënoja, OKB: Kequshqyerja ka rënë nga 50% në 30%
Pas përfundimit të luftës dyvjeçare në Gaza...

Pas përfundimit të luftës dyvjeçare në Gaza, me “Planin e Paqes”, ekipet palestineze kanë nisur kërkimin e trupave që kanë mbetur nën rrënoja.
Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja ka sjellë lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, por Hamasi thotë se ende nuk mund të gjejë trupat e pengjeve të vdekur për shkak të mungesës së pajisjeve të rënda dhe kufizimeve nga Izraeli.
“Shumica e trupave të mbetura ndodhen nën rrënoja. Për t’i nxjerrë, nevojitet makineri e rëndë, të cilën nuk mund ta sigurojmë për shkak të bllokadës izraelite. Hamasi po bën përpjekje për të ruajtur armëpushimin.” – tha Osama Hamdan, zyrtar i lartë i Hamasit.
Armëpushimi në Gaza me gjithëse ka shumë pengesa dhe situata ende është e tensionuar, përsëri ka përmirësuar furnizimin me ushqim.
Furra “Castle Bakery” në Deir Al Balah prodhon tani deri në 300,000 bukë në ditë për familjet lokale. Nga OKB, raportojnë se kequshqyerja ka rënë nga 50% në 30% brenda një jave, por kërkojnë hapjen e pikave kufitare, përfshirjen e OJQ-ve dhe rritje ndihmash për nevojat urgjente
"Aktualisht prodhohen 300,000 copë bukë çdo ditë. Kjo arrihet sepse tani kemi mundësi të fusim miellin, sheqerin, majanë, por edhe karburantin që vë në punë këto makina. Kjo tregon se kur një armëpushim mbahet, ne mund të rindërtojmë shpejt, mund të rivendosim prodhimin ushqimor. Kjo do të ndihmojë në shmangien e urisë që kemi parë , duke hapur këto furra buke, këto kuzhina, dhe duke prodhuar ushqim në këtë shkallë. Qëllimi ynë është të shpërndajmë një milion vakte në ditë, dhe jemi në rrugë të mbarë për ta arritur këtë.” – deklaroi Nën Sekretari i OKB-së, për çështjet humanitare, Tom Fletcher.
Rreth 300 mijë nxënës palestinezë do të rifillojnë mësimet në Gaza nën agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), megjithëse bllokada e Izraelit vazhdon të pengojë qindra miliona dollarë ndihmë që të hyjnë në enclave.
Ndërkohë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq vazhdon të monitorojë zbatimin e armëpushimit dhe sigurinë e operacioneve humanitare në terren, duke siguruar që ndihmat të arrijnë më lehtë në nevojtarët në Gaza. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
