Analistët për aktin e dorëheqjes: Dorëheqja, vlerë morale, e munguar në politikë
Dorëheqjet e zyrtarëve të lartë në Maqedoni, si akt moral për përgjegjsi politike, janë thuaja të panjohura...

Edhe pse vendi pretendon se ndan vlera të civilizimit evropian dhe të Amerikës Veriore, edhe ato pak dorëheqje që kemi parë nuk ndodhin nga presioni i masës kritike dhe opinionit publik, por me vendim të kryetarit të partisë ose kryeministrit.
Analistët gjykojnë se kjo ndodh shkaku i organizimit të partive dhe aparatit shtetëror dhe demokracisë së brishtë.
Sipas analistit Emin Azemi, funksionarët tanë mendojnë se legjitimiteti i tyre buron nga kryeministri apo nga kryetari i partisë dhe jo nga qytetarët që i votojnë, prandaj përgjegjsia politike, fatkeqësisht, është reduktuar në konjuktura të brendëshme institucionale, në marrëdhënie shumë të ngushta brendapartiake, ndërkaq është apstrahuar interesi i gjërë publik.
“Mosdhënia e përgjegjësisë apo mosdorëheqja, te ne, krijon edhe një precedencë brenda koalicionit qeverisës. Njerëzit, të cilët nuk japin përgjegjësi e trimërojnë partnerin e koalicionit, në këtë rast, partnerin maqedonas, dhe ata mendojnë që këta njerëz po punojnë mirë. Por, nëse jepet përgjegjsi, nëse jepet dorëheqja unë mendoj që u ndihmohet edhe atyre që vijnë pas tij, pasi krijohet një kriter moral për punën e bërë dhe punën e pabërë” – tha analisti, Emin Azemi.
Edhe analisti, Ylber Sela, thotë se Maqedina është larg vlerave evropiane dhe demokracisë së mirfilltë.
“Maqedonia ka një demokraci të brishtë dhe, normal që, kjo nënkupton edhe ndikim në të gjithë sferën politike dhe shoqërore në organizimin e jetës politike dhe shpoqërore këtu në Maqedoni dhe kjo reflekton edhe te dorëheqja e politikanëve, të cilët edhe pse mund të kenë dështime nuk e shohin të arsyeshme që të japin dorëheqje” – u shpreh analisti, Ylber Sela.
Sipas analistëve, fakti që politika po injoron presionin publik, nga masa kritike e publikut, flet për mendësinë dhe aplikimin e politikës sipas formatit të lindjes, ndërkaq vlerat perëndimore janë vetëm pjesë e retorikës boshe.
“Përderisa në Angli, katër kryetarë partish dhanë dorëheqje shkaku i disfatës zgjedhore, politikanët në Maqedoni nuk e shohin të arsyeshme të japin dorëheqje edhepse me politikat e tyre të gabuara rrezikojnë vetë shtetin”, - theksojnë analistët. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
