Zgjedhjet lokale 2025, të drejtë vote kanë mbi një milion e 800 mijë votues

19.10.2025 13:22

Maqedonia e Veriut mban sot zgjedhjet lokale...

Maqedonia e Veriut mban sot zgjedhjet lokale. Qytetarët do të votojnë në të 80 komunat e vendit dhe në Qytetin e Shkupit për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe këshillat komunalë. 

Sipas KSHZ-së të drejtë vote kanë gjithsej një milion e 832 mijë e 415 qytetarë, prej të cilëve një milion e 717 mijë e 803 votues ndodhen në vend, ndërsa të tjerët në diasporë. Procesi i votimit do të zhvillohet në 3 mijë e 474 qendra  të votimit.

Në këto zgjedhje, garojnë gjithsej 309 kandidatë për kryetarë komunash dhe 576 lista këshilltarësh, me rreth 10 mijë e 490 kandidatë.

Në garën e sotme marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 iniciativa qytetare ose kandidatë të pavarur.

Për kryetar të Qytetit të Shkupit garojnë 16 kanddiat.

Në kryeqendër të drejtë vote kanë 474 mijë e 304 qytetarë, pason Kumanova me 94 mijë e 41 votues, Tetova  me 87 mijë e 878 votues, Gostivari 82 mijë e 893, Manastiri  me 77 mijë e 253 votues dhe komunat tjera me numër më të vogël.

Më së paku votues ka Lozova me 1.905 votues. Procesi i votimit ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe do të vazhdojë deri në ora 19, kur mbyllen vendvotimet dhe fillon numrimi i votave.