Mbrojtja e të drejtës së votes, Avokati i Popullit: Qytetarët ti raportojnë shkeljet
Gjatë ditës së sotme Zyra e Avokatit të Popullit...

Gjatë ditës së sotme Zyra e Avokatit të Popullit do të operojë me linjë telefonike pa pagesë: 0800-54321, nga ora 7:00 deri në orën 19:00, ku qytetarët mund të raportojnë çdo shkelje të të drejtave të tyre të votimit, ka informuar Avokati i Popullit.
Përveç telefonit, qytetarët do të jenë në gjendje të raportojnë shkelje të të drejtave të tyre të votimit personalisht në të 7 zyrat e Avokatit të Popullit në: Shkup, Manastir, Kërçovë, Kumanovë, Strumicë, Tetovë dhe Shtip, me qëllim që t'i ndihmojnë ata në ushtrimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre të votimit.
Gjithashtu, për të mbrojtur të drejtat e tyre, qytetarët do të jenë në gjendje të telefonojnë në numrat e mëposhtëm të telefonit: Tetovë 044 344-082, Strumicë 034 329-996, Kërçovë 045 228-586, Manastir 047 242-310, Shtip 032 389-701 dhe Kumanovë 031 431-488.
“Avokati i Popullit do të mbrojë të drejtat e qytetarëve duke marrë masa urgjente për veprim efektiv nga autoritetet kompetente në procesin zgjedhor dhe institucionet e tjera që janë të detyruara të ofrojnë mbrojtje për të drejtat e tyre të garantuara. Me këtë rast, Avokati i Popullit thekson se e drejta e votës është e garantuar kushtetutshëm si e barabartë, e përgjithshme dhe e drejtpërdrejtë dhe ushtrohet në zgjedhje të lira me votim të fshehtë. Askush nuk mund të mbahet përgjegjës për ushtrimin e kësaj të drejte. Nuk është rastësi që shkelja e lirisë së zgjedhjes së votuesve, si dhe shkeljet e tjera të së drejtës së votës, janë vepra të dënueshme", njoftoi Avokati i Popullit.
MPB: Masa sigurie për procesin zgjedhor
Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë njoftuar se janë ndërmarrë masa dhe aktivitete brenda kompetencave, me qëllim sigurimin e zbatimit të qetë dhe të sigurt të procesit zgjedhor.
“Oficerët e policisë do të jenë të pranishëm pranë vendndodhjeve të qendrave të votimit, si dhe në pikat kyçe të trafikut, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe zbulimin në kohë të shkeljeve të mundshme të rendit dhe qetësisë publike. Siguria e qytetarëve do të garantohet me mjete standarde materiale dhe teknike, ekipe mobile dhe operacione pikë për pikë, si dhe do të përdoret edhe teknologji moderne - dronë për kontroll ajror me qëllim reagimin më të shpejtë dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve të duhura në rast incidentesh. Ministria e Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe partive politike të kontribuojnë në një atmosferë paqësore dhe demokratike, të respektojnë udhëzimet e oficerëve të policisë dhe të përmbahen nga çdo aktivitet që mund të prishë procesin zgjedhor”, theksojnë nga MPB.
