Botë

Lindja e Mesme, armëpushimi në Gazë vihet në provë

20.10.2025 14:14

Armëpushimi në Gazë vihet në provë....

Armëpushimi në Gazë vihet në provë. Pas sulmeve në jug dhe veri, ushtria izraelite tha se armëpushimi ishte rikthyer në fuqi dhe se shpërndarja e ndihmave do të rifillonte. Qeveria izraelite konfirmoi se ushtria kishte goditur objektiva në Rafah pasi trupat e saj hapën zjarr. Në veri, depot e armëve të Hamasit u sulmuan, duke vrarë disa militantë të armatosur palestinezë.
 
"Terroristët qëlluan një raketë anti-tank dhe qëlluan drejt trupave tona që vepronin në zonën e Rafah. Ushtarët, të cilët ishin atje për të çmontuar infrastrukturën terroriste, janë në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit. Forcat Mbrojtëse të Izraelit po sulmonin në zonë për të eliminuar kërcënimin.", - deklaroi zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian.
 
Hamasi mohon çdo përfshirje në ndonjë përleshje. Mbrojtja izraelite thotë se është e përgatitur për çdo skenar.
 
"Ushtarët e Forcave Mbrojtëse të Izraelit janë të detyruar të qëndrojnë në gatishmëri të lartë. Ne jemi të përgatitur për çdo skenar. Ne do të vazhdojmë të veprojmë me vendosmëri për të mbrojtur interesat e sigurisë së shtetit të Izraelit.", - theksoi shefi i shtabit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit, Eyal Zamir. 
 
Presidenti amerikan siguron se rebelët nga brenda kanë shkaktuar tensionet. Në Izrael, ekipi i Trampi, Uitkoff dhe Kushner, do të diskutojnë një fazë të re të armëpushimit.
 
"Ne duam të sigurohemi që do të jetë paqësore me Hamasin. Dhe siç e dini, ata kanë qenë mjaft të zhurmshëm. Ata kanë qëlluar. Dhe mendojmë se ndoshta udhëheqja nuk është e përfshirë në këtë, ka shumë të ngjarë disa rebelë brenda. Por, në çdo rast, do të bëhet siç duhet. Do të bëhet në mënyrë strikte, por siç duhet.", - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Hamasi ktheu eshtrat e 10 prej 28 pengjeve të ndjerë. Izraeli këmbëngul që trupat të dorëzohen sa më shpejt të jetë e mundur, përndryshe do të marrë masa për mosrespektimin e marrëveshjes.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI