Maqedoni
Rezultatet e zgjedhjeve lokale, VLEN: Jemi fitues në rrethin e parë
20.10.2025 15:10
Koalicioni VLEN, në zgjedhjet e 19 tetorit, që në rrethin e parë ka fituar në 5 komuna edhe atë në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë...

Koalicioni VLEN, në zgjedhjet e 19 tetorit, që në rrethin e parë ka fituar në 5 komuna edhe atë në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë dhe Tearcë. Ndërsa në rreth të dytë mbetet në Tetovë, Dibër, Dollnen dhe në Strugë mbështet kandidatin e pavarur, Mendi Qyra. Duke shpallur fitoren, kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, tha se janë fitues të referendumit për të cilin insistonte opozita shqiptare. Ai njëherësh tha se e ka fituar garën ndaj rivalit të tij, Ali Hamiti, të cilin tha se e ka dërguar në pension.
“Dua të them me zë të lartë dhe të qartë, sonte fituan shqiptarët dhe një klasë politike u pensionua, andaj urime fitorja dhe urime pensionimin kundërshtarëve politik. Prandaj, sonte po i drejtohem kundërshtarit tim politik, Ali Ahmetit, me plot respekt, por edhe me qartësi, ky është çasti kur duhet të dorëhiqesh. Vota e shqiptarëve të dërgoi në pension politik, kështu që uroj nga zemra ditët e qeta dhe të gjata pensionimi. Oferta jonë fitoi, sepse ne ofruam punë, vizion dhe besim.”, - deklaroi Izet Mexhiti nga VLEN.
I kënaqur me rezultatin u shpreh edhe kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
“Në Maqedoni në nivel nacional jemi 11 me 3 komuna. Me këshillat komunalë kemi fituar në të gjitha komunat. Sot jemi këtu bashkë me kryetarin e ardhshëm të Zhelinës, Blerim Sejdiu; kryetarin e ardhshëm të Bogovinës, Feti Abazi; kryetarin e ardhshëm të Tearcës, Dauti dhe kryetarin e ardhshëm të Bërvenicës.”, - theksoi Bilall Kasami nga VLEN.
Sipas Kasamit, koalicioni VLEN në këto zgjedhje kishte kandidatët më të mirë për kryetarë dhe këshilltarë komune dhe programin më të mirë që ofronte zgjidhje për problemet e qytetarëve, që u përkrahën masivisht nga qytetarët, prandaj edhe arriti të jetë fituese e zgjedhjeve.
FITORE DEMOLLI
