Maqedoni

Vëzhguesit ndërkombëtarë paraqesin vlerësimet e tyre mbi zgjedhjet vendore

20.10.2025 15:51

Zgjedhje të qeta, por të zhvilluara në një ambient të polarizuar...

Zgjedhje të qeta, por të zhvilluara në një ambient të polarizuar politikisht dhe etnikisht, pjesëmarrje reale e qytetarëve, por me mangësi në përfshirjen e grave dhe personave me aftësi të kufizuara, proces profesional, por i penguar nga zbrazëtira ligjore dhe infrastrukturë e vjetruar, janë këto disa nga gjashtë pikat kryesore të raportit të publikuar nga OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit në vend, theksoi shefi i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR. 
 
“Zgjedhjet lokale të 19 tetorit iu mundësuan qytetarëve një zgjedhje të vërtetë nga një spektër i alternativave politike, por ato u zhvilluan në një ambient të polarizuar lart, mes tjerash edhe në aspektin etnik dhe në një atmosferë dëshpëruese nga politika dhe perceptimin e gjerë për korrupsion. Të drejtat fundamentale në masë të madhe janë respektuar, ndërsa kandidatët derisa kishin mundësi të udhëheqin fushatën kryesisht të fokusuar në çështje komunale, kjo u vendos nën hije diskutimit për çështjet e ngritura në nivel qendror, për identitetin, integrimin evropian, korrupsioni dhe të drejtat e bashkësive etnike.”, - deklaroi shefi i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR, Matea Mekaçi. 
 
Dita e zgjedhjeve ishte e organizuar mirë dhe u vlerësua pozitivisht nga vëzhguesit e kongresit të Këshillit Evropës, theksoi shefja e delegacionit të kongresit. 
 
“Votimi ishte i qetë dhe i drejtë dhe me kënaqësi kemi vëzhguar mënyrën e qetë si është zhvilluar, në një fushatë konkurruese, me një spektër të gjerë të partive politike dhe kandidatëve të cilët ishin motivuar të marrin pjesë.”, - theksoi shefja e delegacionit të Kongresit të Këshillit të Evropës, Gobnait Ni Mhuimneacain.
 
Vëzhguesit tanë kanë evidentuar shkallë të lartë të përkushtimit te punëtorët në komisionet zgjedhore, duke përfshirë edhe vendet rurale, theksoi shefja e misionit vëzhgues të delegacionit të Parlamentit Evropian.
 
“Edhe pse procesi i votimit u zhvillua pandërprerë gjatë të cilit qytetarët dhanë votën e tyre të lirë dhe në atmosferë të qetë, kemi evidentuar disa sfida procedurale.”, - u shpreh shefja e delegacionit të Parlamentit Evropian, Marta Temido.
 
Raporti u prezantua sot nga shefi i misionit të OSBE/ODIHR në Shkup.
 
LEUNORA KALIQI