Maqedoni
Rezultati i zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE fituese në mbi 30 komuna
20.10.2025 16:06
VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve lokale, deklaroi lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski...

VMRO-DPMNE është fituese e zgjedhjeve lokale, deklaroi lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, sipas të cilit partia e tij ka fituar në mbi 30 komuna që në rrethin e parë. VMRO ka arritur fitore edhe në komuna ku LSDM deri tani kishte kryetarë komunash. Maqedonia në këto zgjedhje nuk votoi për parti, por për drejtim dhe vlera, për njerëz që besojnë në punë e jo në fjalë, tha Mickoski.
“Kemi fituar që në rrethin e parë në Strumicë, 20 vite kemi pritur për këtë ditë. Kemi fituar edhe në Dellçevë, kemi fituar edhe në Berovë. Fitore bindëse kemi edhe në Pellagoni, në Manastir, Prilep, Shtip, Kavadar, në Gjevgjeli, Shën Nikollë, në Ohër, Karbincë, Demirhisar, Novac, Gradsko, Butel, Gjorçe Petrov, Gazi Babë, Kisella Vodë, Sopishte, Ilinden, Petrovec, Jegunoc, Veles, Radovish, Resnjë dhe kështu me radhë.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Po ashtu Mickoski tha se edhe kandidati i tyre për qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka arritur të sigurojë numër të madh votash. Ndërsa vet Gjorgievski tha se rezultati është i qartë, pasi fitorja në rrethin e parë është e lartë, tri herë më e lartë se secili nga kundërkandidatët.
“Ndeshja ende nuk ka përfunduar, punën patjetër ta përfundojmë, fitoren patjetër ta konfirmojmë, dhe ta bëjmë së bashku ende më të madhe, prandaj nuk ndalemi, që sot vazhdojmë me tempo edhe më të fuqishme. Në dy javët e ardhshme së bashku me ekipin tim do të jemi prezent në secilën lagje, në çdo rrugë, në secilën shtëpi, do të flasim edhe me më shumë qytetarë, do ta prezantojmë programin tonë.”, - theksoi kandidati i VMRO-DPMNE-së për Qytetin e Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Gjorgjievski njëherësh ftoi qytetarët që në rrethin e parë nuk kanë dalë për të votuar, apo që e kanë dhënë votën e tyre për ndonjërin nga kundërkandidatët e tij që t’i bashkëngjiten, siç tha ai, koalicionit qytetar. Gjorgjievski tha se vizioni i tij është Shkupi i bashkuar e jo qyteti i ndarë, prandaj qytetarët duhet ta mbështesin idenë për një Shkup më të mirë për të gjithë ne. Ai po ashtu paralajmëroi se do t’i kontaktojë kandidatët dhe strukturat politike, të cilët nuk kanë hyrë në rrethin e dytë, duke u ofruar bashkëpunim për të siguruar përkrahjen e tyre në rrethin e dytë.
FLORIJE KAMBERI
