Rosberg fiton në Monako

24.05.2015 19:09

Nico Rosberg ka fituar Çmimin e Madh të Monakosë për herë të tretë radhazi...

Piloti gjerman i Mercedesit arriti suksesin falë një “dhurate” që iu bë nga skuderia e tij, që vendosi të fuste në bokse kryesuesin e garës Lewis Hamilton, kur duheshin edhe pak xhiro nga fundi.

Ky vendim i çuditshëm bëri që britaniku të humbte edhe vendin e dytë, që shkoi për Sebastian Vettel (Ferrari).

Në vend të katërt dhe të pestë u rënditën pilotët e Red Bullit, Daniil Kvyat dhe Daniel Ricciardo, të cilët lanë pas Ferrarin tjetër të Kimi Raikkonen.

Pas garës, shefi i Mercedesit, Toto Wolff, tha se gaboi në vendimin për të futur në bokse Hamiltonin: "Gabuam në llogaritjen e distancës dhe i kërkojmë falje pilotit tonë pasi i hoqëm nga dora fitoren".

Pas 6 garave të para të sezonit, kampionati vazhdon të kryesohet nga Hamilton me 126 pikë, i ndjekur nga Rosberg me 10 pikë më pak dhe Vettel që ka 98 pikë, ndërsa në renditjen për konstruktorë udhëheq Mercedes shumë i shkëputur me 242 pikë, që ndiqet nga Ferrari me 158 dhe Williams me 81 pikë.