Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2025, LSDM: Fituam 3 komuna në raundin e parë
20.10.2025 16:20
Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, pas raundit të parë të zgjedhjeve të djeshme lokale..

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, pas raundit të parë të zgjedhjeve të djeshme lokale, konsideron se VMRO-DPMNE humbi 140.000 vota në krahasim me zgjedhjet e vitit të kaluar dhe se diferenca mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së është zvogëluar ndjeshëm. Nga kjo parti theksojnë se pas numërimit të votave, po konfirmohet ajo që LSDM-ja e kishte thënë më parë se kjo qeveri, e udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Lëvizja "E di", në këto zgjedhje do të humbte një numër të madh votash. Kryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Venko Filipçe, në konferencën për shtyp të mbajtur mbrëmë, deklaroi se LSDM në raundin e parë të zgjedhjeve lokale ka fituar në 3 komuna, udhëheq në rreth dhjetë të tjera dhe hyn në raundin e dytë në rreth njëzet komuna.
“Ky rezultat, mendoj, nuk është ai që të gjithë e dëshironim, por, duke marrë parasysh rrethanat, nuk është rezultat i keq, sidomos sepse në shumë komuna jo kudo, por në një pjesë të mirë të tyre kemi rritje të numrit të votave krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është një dëshmi e konsolidimit që ka filluar muajt e fundit.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Sipas LSDM-së, zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë, megjithatë janë konstatuar disa parregullsi.
“Për fat të keq konstatuam edhe shkelje të shumta të procesit zgjedhor. Abuzim me listën e votuesve, përpjekje për ryshfet zgjedhor, kërcënime dhe shantazhe të drejtpërdrejta, shkelje të heshtjes zgjedhore përmes fushatës, si dhe parregullsi gjatë vetë votimit. Në Llozovë, për shembull, u parandalua një përpjekje për ryshfet, e dokumentuar nga Ministria e Brendshme. Ka edhe përpjekje për ryshfet në vende të tjera që tani po dokumentohen. Në Kumanovë dhe Gjorçe Petrov pati raste të dhënies së shumë fletëvotimeve një votuesi.”, - theksoi sekretari gjeneral i LSDM-së, Aleksandar Sasha Dimitrijeviq.
Sipas LSDM-së, është e rëndësishme që kryetarët e komunave të kenë legjitimitet nga qytetarët.
FLORIJE KAMBERI
