Botë
Ukrainë, dronët rusë shkatërrojnë bazën në Zaporizhja
20.10.2025 17:01
Lufta në Ukrainë nuk po ndalet...
Dronë rusë kanë shkatërruar një bazë të përkohshme të ushtrisë ukrainase në Zaporizhja dhe kanë sulmuar trena me pajisje ushtarake në rajonin Sumi. Nga ana tjetër, dronët ukrainas kanë goditur dy nga kapacitetet më të rëndësishme të industrisë së naftës dhe gazit në Rusi.
Shefja për politikë të jashtme të BE-së deklaroi se pritet që këtë javë të miratohet paketa e 19-të e sanksioneve ndaj Moskës. Lidhur me takimin e paralajmëruar Tramp–Putin në Hungari, kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas, theksoi se Rusia mund të detyrohet të ndalë luftën vetëm nën presion.
“Do të shohim si do të zhvillohen gjërat. Ne kemi qenë të qëndrueshëm dhe Rusia negocion vetëm kur ndjen presion. Shpresojmë që edhe Trampi do të veprojë në këtë drejtim. Mendoj se është me rëndësi që presidenti Zelenski të takohet me Putinin dhe të bisedojnë për zgjedhjet. Nëse ShBA-ja ka mundësinë të ushtrojë presion ndaj Rusisë për ta sjellë në tryezën e negociatave dhe e shfrytëzon këtë forcë, atëherë është e mirëseardhur. Mjafton që Rusia ta ndalë këtë luftë.”, - deklaroi shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Përpara takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, disa prej tyre shprehën shqetësim për mundësinë e një vizite të Putinit në Budapest, duke deklaruar se ai nuk është i mirëpritur në asnjë kryeqytet evropian.
“Nuk ka vend për kriminelë lufte në Evropë. Ne mbështesim fuqishëm Ukrainën dhe do të vazhdojmë presionin ndaj Rusisë. Vendi i vetëm për Putinin në Evropë është në Hagë. Kjo është shumë e qartë.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budrys.
“Për ta thënë qartë, praninë e Putinit në territorin evropian mund ta justifikojë vetëm një armëpushim i menjëhershëm.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Tramp mohoi të ketë kërkuar nga Zelenski që të dorëzojë rajonin e Donbasit Rusisë. Ai propozoi një armëpushim të menjëhershëm, bazuar në vijat aktuale të frontit.
“Asnjëherë nuk kemi biseduar për këtë. Unë mendoj se ajo që duhet të bëjnë është të ndalen aty ku ndodhen aktualisht në vijën e frontit. Kjo është më e arsyeshmja. Çdo gjë tjetër është shumë e ndërlikuar për t’u negociuar. Ka shumë variante. Prandaj, unë them: ndaloni aty ku jeni, kthehuni në shtëpi, ndaloni vrasjet dhe mbarojeni këtë luftë.”, - u shpreh presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi se Ukraina nuk do t’i japë asgjë Rusisë dhe as nuk do të harrojë. Ai paralajmëroi forcimin e bashkëpunimit mbrojtës dhe energjetik me partnerët ndërkombëtarë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
