Botë

Panik në ajër, merr flakë bateria në çantën e pasagjerit, avioni bën ulje emergjente në Kinë

20.10.2025 18:22

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente...

Një avion i kompanisë Air China u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi një bateri brenda në një çantë dore shpërtheu në flakë gjatë fluturimit.
 
Incidenti ndodhi në një linjë ajrore që udhëtonte nga aeroporti i Hangzhou drejt Koresë së Jugut, duke shkaktuar panik mes pasagjerëve.
 
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale treguan dy stjuardese që vrapuan me fikës zjarri në duar, ndërsa të tjerë i kërkuan pasagjerëve të qëndrojnë në vendet e tyre.
 
Një pasagjer i cituar nga mediat lokale tha se dëgjoi një shpërthim të fortë disa sekonda para se të shpërthente zjarri në ndarjen e sipërme të bagazheve.
 
“Një bateri litiumi në çantën e dorës së një pasagjeri, e vendosur në ndarjen e sipërme, papritur u përfshi nga flakët”, deklaroi kompania Air China.
 
Pavarësisht situatës së rrezikshme dhe tymit që mbushi kabinën, asnjë pasagjer nuk u lëndua, ndërsa piloti realizoi një ulje të sigurt emergjente. Kompania tha se po heton shkakun e incidentit dhe do të forcojë kontrollet për pajisjet elektronike në bord./Top Channel