Botë
Shtyhet takimi mes Trampit dhe Putinit, mospajtime rreth përfundimit të luftës në Ukrainë
21.10.2025 14:11
Takimi i planifikuar Tramp - Putin në Budapest mbetet i pasigurt...

Takimi i planifikuar Tramp - Putin në Budapest mbetet i pasigurt pas shtyrjes së takimit mes ndihmësve kryesorë për punët e jashtme, Rubio dhe Lavrov, të cilët duhej të përgatisnin takimin mes liderëve. Sipas mediave, mospajtimet rreth përfundimit të luftës në Ukrainë janë arsyeja e shtyrjes së këtij takimi, çka solli reagime nga Moska.
“Nuk mund të shtyjmë diçka që nuk është dakorduar. Nuk e kemi konfirmuar atë që disa burime perëndimore raportuan dje. Ekziston një ide për një takim të tillë, por, pikërisht sepse një ngjarje e tillë ka rëndësi të madhe, ajo kërkon përgatitje.”, - deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergej Ryabkov.
Presidenti amerikan, Donald Tramp, më herët konfirmoi se është në proces negociatash, duke shprehur skepticizëm se Ukraina do të fitojë luftën dhe do të rikthejë territoret e pushtuara nga Rusia.
“Ata ende mund t’i rikthejnë, por unë mendoj se nuk do t’i rikthejnë. Kurrë s’kam thënë se do t’i rikthejnë. Çdo gjë mund të ndodhë, e dini, lufta është një gjë shumë e çuditshme. Jemi në proces për të arritur një marrëveshje. Nëse arrijmë marrëveshje, është gjë e shkëlqyer. Nëse jo, shumë njerëz do të paguajnë një çmim të lartë.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Evropa ka paralajmëruar se bisedimet për paqe që përjashtojnë Kievin janë të papranueshme. Sipas Brukselit, ngrirja e konfliktit dhe lëshimet ndaj Rusisë nuk do të sjellin paqe, por do të inkurajojnë agresionin dhe do të minojnë të drejtën ndërkombëtare.
“Nëse agresioni shpërblehet, ai bëhet një ftesë për t’u përdorur edhe në vende të tjera.”, - u shpreh përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas.
“Kur flitet për fatin e Ukrainës, ukrainasit duhet të jenë në tryezë. Që nga momenti kur diskutohet për çështje që ndikojnë në sigurinë e evropianëve, edhe evropianët duhet të jenë aty. Kjo është gjithçka që mund të them.”, - deklaroi presidenti i Francës, Emanuel Makron.
Ndërkohë që dorëzimi i raketave Tomahauk mbetet i pasigurt, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, njoftoi se Kievi po punon me ShBA-në për të siguruar një numër të mjaftueshëm sistemesh “Patriot” si garanci për sigurinë e vendit.
“Kjo nuk është një detyrë e lehtë, por është një nga garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe do të funksionojë në afat të gjatë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Në të njëjtën kohë, Rusia po vazhdon me sulmet intensive ndaj rrjetit energjetik të Ukrainës përpara dimrit. Zelenski nesër do të udhëtojë për në Bruksel për Samitin e Këshillit Evropian, ku do të diskutohet për Ukrainën dhe mbrojtjen evropiane, ndërsa të premten do të marrë pjesë në Londër në takimin e “Koalicionit të Gatshëm”.
FARIJE DAUTI BAKIU
