Maqedoni
Në Klinikën e Neurokirurgjisë në Shkup, operacion në tru me ndihmën e stereotaksisë
21.10.2025 14:20
Gjatë javës së kaluar, në Klinikën e Neurokirurgjisë për herë të parë u krye një operacion në tru...

Gjatë javës së kaluar, në Klinikën e Neurokirurgjisë për herë të parë u krye një operacion në tru me ndihmën e sistemit të stereotaksisë (biopsi cerebrale stereotaktike me kornizë), njoftuan nga Ministria e Shëndetësisë.
“Bëhet fjalë për një procedurë minimalisht invazive që kryhet me ndihmën e një kornize që vendoset mbi kokën e pacientit. Më pas, me anë të llogaritjeve të veçanta tredimensionale, planifikohet me saktësi vendi i ndërhyrjes brenda kokës dhe merret material për analizë.”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Aliu.
Për të arritur këtë rezultat, thuhet në njoftim, i paraprinë përgatitje me një ekip ekspertësh nga Brazili, të udhëhequr nga prof. Manoel Jakobsen Teisheira nga Universiteti i Sao Paulos, si dhe inxhinieri Antonio Martos Kalvo. Ekipi i punës që realizoi këtë ndërhyrje të rëndësishme përbëhet nga dr. Robert Shumkovski, dr. Ivica Kocevski, dr. Lulzim Agai (neurokirurg) dhe dr. Radmilla Pangovska (anesteziologe).
“Kjo procedurë në të ardhmen ofron mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e neurokirurgjisë funksionale dhe trajtimin e sëmundjeve të ndryshme neurodegjenerative, për të cilat pacientët tanë deri më tani janë dërguar për trajtim jashtë vendit.”, sqaroi drejtori i Klinikës së Neurokirurgjisë, dhe njëherësh pjesë e ekipit, Lulzim Agai.
