Maqedoni
Akademia për gjyqtarë dhe prokurorë publikë, “Prova dhe lirimi me kusht”, potencial i pashfrytëzuar
21.10.2025 14:29
Mbi 900 persona aktualisht janë nën masa prove, ndërsa sistemi ka kapacitet për të përfshirë shumë më tepër se sa kaq...

Mbi 900 persona aktualisht janë nën masa prove, ndërsa sistemi ka kapacitet për të përfshirë shumë më tepër se sa kaq, u theksua në takimin e punës me temën “Prova dhe lirimi me kusht”, që u mbajt në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë “Pavel Shatev” në Shkup. Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, theksoi se prova në Maqedoni ekziston tashmë gjashtë vite, por ende nuk shfrytëzohet sa duhet.
“Prova ekziston dhe funksionon, por ka kapacitet shumë më të madh dhe lirimet me kusht duhet të jenë më të shpeshta dhe me afat më të gjatë. Shifrat tregojnë se në gjykatat maqedonase ka 430 të dënuar me trajtim A dhe 330-340 me trajtim B2. Nuk po them që të gjithë duhet të lirohen me kusht, por shumica prej tyre mund të jenë pjesë e këtij procesi – natyrisht, me rekomandim paraprak nga sektori i resocializimit në burgje dhe drejtorët e institucioneve ndëshkimore.”, - deklaroi drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov.
Pandovi theksoi se një i dënuar i kushton shtetit rreth 1.000 euro në muaj dhe se rreth 750 të burgosur përbëjnë barrë ekonomike për shoqërinë. Ai shtoi se mbi 100 masa prove janë ndërprerë për shkak të mosrespektimit të kushteve nga të dënuarit. Ndërsa kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, e theksoi rëndësinë e risocializimit:
“Me këtë hap po bëjmë një gjë pozitive në promovimin e lirimit me kusht dhe të provës, që janë të rregulluara me ligj në vendin tonë tashmë një periudhë të gjatë. Qëllimi i dënimit nuk është gjithmonë vetëm ndëshkimi, por edhe risocializimi dhe rehabilitimi i kryerësve të veprave penale dhe padyshim që lirimi me kusht ka një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.”, - theksoi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.
Ndërsa, nga ana e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë u theksua mbështetja për gjykatat dhe gjyqtarët në zbatimin e masave alternative dhe në procesin e edukimit.
“Ne si akademi jemi këtu për t’u dhënë mbështetje gjykatave dhe gjyqtarëve që punojnë me këto masa dhe sanksione alternative, si dhe në procesin e edukimit.”, - u shpreh drejtoresha e Akademisë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publikë, Irina Trajkoska Strezoski.
Në ngjarje morën pjesë kryetarët e departamenteve penale nga gjykatat e apelit, kryetarë të gjykatave themelore dhe gjyqtarë që punojnë me çështje të lirimit me kusht.
FARIJE DAUTI BAKIU
