Maqedoni
Integrimi i RMV-së, Vaic: Pas zgjedhjeve, bëni ndryshimet kushtetuese
21.10.2025 15:17
Vaic pret që ndryshimet kushtetuese të vihen sërish në tavolinën e qeverisë...

Raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic, pret që ndryshimet kushtetuese të vihen sërish në tavolinën e qeverisë sonë pasi të mbarojnë zgjedhjet lokale. Sipas tij, një progres i tillë do t’i hapte menjëherë grup-kapitujt me Bashkimin Evropian. Eurodeputeti austriak me komente pozitive lidhur me ecurinë e reformave, me një tempo të ulët, por sipas tij, ekzekutivi i ka të qarta detyrat e kornizës së reformave.
“Maqedonia e Veriut ende është e bllokuar nga Bullgaria. Për fat të keq janë shumë probleme me identitetin të cilat bllokojnë procesin e progresit. Qeveria e ngadaltë, por në tërësi është e përkushtuar në implementimin e agjendës, për pakicat, për çështjen e sigurisë dhe korridoret. Me të vërtetë ka progres. Nuk ka diçka që mungon. Tash po mbajnë zgjedhje lokale, por shpresoj se pas zgjedhjeve lokale, kryeministri Mickoski do t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë si pakicë. Kjo do ta hapë rrugën për çeljen e vërtetë të negociatave. Mendoj, tani vendi është i përfshirë në procesin aderues, por në realitet nuk i kemi filluar negociatat. Duhet t’i fillojmë sa më shpejt në mënyrë që ta mbajë vendin në rrugën e vërtetë.”, - deklaroi raportuesi për RMV-në në PE, Tomas Vaic.
Duke folur për eurointegrimin në koncept rajonal, Vaic tha se Shqipëria dhe Mali i Zi me hov të madh po punojnë për anëtarësim deri në vitin 2030. Sa i përket raporteve Kosovë-Serbi ripërsëriti se pa njohje të ndërsjellë të të dyja shteteve, rrugën drejt BE-së e kanë të bllokuar.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
