Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, në garë dhe kandidatët e pavarur
Kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën...

Kandidatët e pavarur vazhdojnë fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2 nëntorit. Në garë për komunën e Studeniçanit është Azem Sadiku, i cili thotë se është i njohur për qytetarët, pasi është në krye të kësaj komune disa mandate.
Edhe Mendi Qyra synon kreun e komunës së Strugës, pasi thotë se qyteti ka nevojë për ndryshime. Ashtu siç pretendon edhe Goran Stojkovski, i cili synon ulësen e kreut të Kuamnovës.
“Qytetarët e komunës së Studeniçanit ditën e diel kanë votuar dhe kanë thënë fjalën e vet se ata dinë ta vlerësojnë punën, dinë ta vlerësojnë realizimin e të gjitha projekteve, po edhe i kanë besuar programit dhe platformës sime. Unë besoj se nuk kam nevojë të bëj shumë fushatë apo kampanjë, por patjetër se kësaj radhe nuk do të bëjmë tubime të mëdha, por për çdo ditë, por edhe gjatë tërë mandatit jam në takime me qytetarët.”, - deklaroi kandidati i pavarur për kryetar të Studeniçanit, Azem Sadiku.
“Filluan zyrtarisht edhe ndryshimet në komunën e Strugës, ne do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për qytetarët e Strugës. Qytetarët veç e din dhe ata kanë mbaruar me kufirin maksimal të votave të tyre dhe shpresoj që në balotazh do të jemi në epërsi shumë të madhe. Kundërkandidati im ka dhënë fjalën dhe besoj t’i qëndrojë si burrë fjalës për t’u tërhequr.”, - theksoi kandidati i pavarur për kryetar të Strugës, Mendi Qyra.
“Nuk është rezultat i befasisë, por i punës së sinqertë dhe të përkushtuar të njerëzve të mirë kreativ, që dëshirojnë të bëjnë ndryshime për jetë më të mirë të qytetarëve tanë. Po të mos prisja fitore, nuk do të futesha në këtë garë, kështu që pritshmëritë janë të njëjta si në fillimin e fushatës, dhe besoni nëse për dikë është befasi, për ne në Kumanovë nuk është. Shkojmë më tutje, më 2 nëntor Kumanova do të ketë kryetar të ri.”, - u shpreh kandidati i pavarur për kryetar të Kumanovës, Goran Stojkovski Diro.
