Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, AKI vazhdon fushatën në rrethin e dytë
Kandidatët e Aleancës Kombëtare...

Kandidatët e Aleancës Kombëtare për Integrim vazhdojnë fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 2 nëntorit. Kandidati për kryetar të komunës së Studeniçanit nga AKI, Ejup Abazi, thotë se do të vazhdojë shpalosjen e ofertës së tij programore.
Abazi thotë se vazhdon me të njëjtat pika të parapara në programin e tij, që janë shpalosur edhe në rrethin e parë, të cilat, siç thotë ai, ishin të pranueshme për banorët e Studeniçanit, prandaj edhe arriti të kualifikohet në rrethin e dytë.
Abazi thotë se pjesë e programit të tij janë sigurimi i ujit të pijshëm për çdo vendbanim në komunën e Studeniçanit, pastaj infrastrukturë rrugore dhe rritje e cilësisë së arsimit nëpër shkollat fillore të kësaj komune dhe projekte tjera, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve të Studeniçanit.
“Për fat të keq, edhe pas shumë viteve ne ende bisedojmë për problemin kryesor në disa vendbanime në komunën e Studeniçanit, që ka të bëjë me ujin e pijshëm, duke filluar këtu prej ujësjellësit në fshatin Studeniçan, pastaj kemi ujësjellësin në fshatin Koliçan të Poshtëm, gjithashtu me problemin me ujësjellësin në fshatin Draqevic dhe në disa lagje apo mëhalla në fshatin Batincë.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Studeniçanit, Ejup Abazi.
Abazi thotë se fushatën për rrethin e dytë do ta vazhdojë me takime me banorët e komunës së Studeniçanit, në çdo vendbanim. Ai thotë se synon edhe votat e kundërkandidatit që nuk arriti të kualifikohet në rrethin e dytë, pasi në zgjedhjet e 19 tetorit dëshmuan se ata dëshirojnë që në komunën e Studeniçanit duhet të ndodhë ndryshimi.
“Është shumë normale që të kërkojmë përkrahje, por shihet një bashkëpunim i popullatës apo i elektoratit, të cilët kanë votuar kundërkandidatin tim që ishte në garë nga VLEN-i. Është një bashkëpunim i natyrshëm që ndodh në komunën e Studeniçanit, kështu që ata u deklaruan diku afër 5 mijë vota që janë për ndryshim dhe presin që në komunën e Studeniçanit të ndodhë ndryshimi.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Studeniçanit, Ejup Abazi.
Përveç në komunën e Studeniçanit, Aleanca Kombëtare për Integrim vazhdon fushatën edhe në komunat tjera, përfshi dhe Tetovën dhe qytetin e Strugës, ku në garë janë Bajram Rexhepi dhe Arsim Dalipi.
Ky i fundit ka thënë se do të vazhdojë betejën për përmbysjen e rezultatit në rrethin e dytë me synimin për fitoren e Strugës.
E drejta, vullneti dhe zëri i qytetarëve janë më të forta se pazaret politike, më të forta se frika dhe më të forta se çdo mur që përpiqen për të na vënë përpara, ka thënë Dalipi, i cili ka theksuar se kundërkandidati i tij, Mendi Qyra, e ka edhe përkrahjen e VMRO-DPMNE-së.
Por, Dalipi thotë se qytetarët nuk kanë frikë dhe beson se më 2 nëntor fitorja do t’u takojë pikërisht qytetarëve, atij si kandidat për kryetar dhe Aleancës Kombëtare për Integrim si koalicion. (Gyltene Sinani, TVM2)
