Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Gerasimovski nga LSDM kërkon besimin e Qendrës
21.10.2025 22:26
Me kontakte direkte me qytetarët....

Me kontakte direkte me qytetarët dhe në terren vazhdon fushata e kandidatit të koalicionit të udhëhequr nga LSDM për Komunën Qendër, Goran Gerasimovski.
Ai është i bindur në fitore në rrethin e dytë pasi që konsideron se qytetarët e njohin konceptin për punë të ndershme. Potencoi se kanë dëshmuar se si punohet me ndershmëri, transparencë në katër vitet e fundit.
Gerasimovski thekson se së bashku me qytetarët i kanë respektuar dhe krijuar politikat dhe programet në këto katër vite. Realizuam mbi 90% të programit zgjedhor që kishim para katër viteve dhe për shkak se kemi program të shkëlqyer, vizion dhe ekip të mirë që punon me nder dhe transparencë, mandati i ardhshëm do të jetë me një numër të madh të projekteve që planifikojmë t’i fillojmë nga viti i ardhshëm, tha Gerasimovski.
"Kemi fushatë të shkëlqyer të cilën e shkruam para katër viteve së bashku me qytetarët, për dallim nga disa kundërkandidatë të cilët po e kopjojnë programin tonë, kopjojnë projektet. Ne projektet i shkruajmë vet me qytetarët, siç thash 4 vite më herët. Në forumet tona buxhetore të cilat i propozojmë dhe do t’i bëjmë gjatë javës së ardhshme që të mos pritet muaji nëntor, por që tani t’i dëgjojmë qytetarët dhe të fillojmë programin.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së për Komunën Qendër, Goran Gerasimovski.
Gerasimovski u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen dhe së bashku të vazhdojnë vizionin për zhvillim të qendrës. Ai thekson se problemi me mbeturinat në Qendër duhet të tejkalohet, sepse përveç pasqyrës së keqe për qytetarët, ndikon edhe negativisht në shëndetin e qytetarëve.
"Siç theksova në mëngjes, në Qendër po ndodh një katastrofë ekologjike. Në mëngjes bisedova edhe me drejtoreshën e BNJVL-së, si komunë lëshuam shkresë, kërkuam të thirret një seancë urgjente që të kërkohet zgjidhje për këtë problem katastrofal me të cilin po ballafaqohet Qendra, por edhe të gjithë banorët e qytetit të Shkupit. I bëj thirrje Qeverisë të inkuadrohet në zgjidhjen e këtij problemi të madh me të cilën ballafaqohen qytetarët e Qendrës. Shërbimet tona janë në terren.”, - theksoi kandidati i LSDM-së për Komunën Qendër, Goran Gerasimovski.
Gerasimovski falënderoi të gjithë ata që e kanë besuar dhe mbështetur, ndërsa kërkoi mbështetje edhe nga qytetarët që në rrethin e parë mbështetën parti tjera politike apo edhe kandidatë të pavarur. LSDM në rrethin e parë zgjedhor fitoi 3 komuna, ndërsa në rrethin e dytë, në garë janë në pesë komuna.
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, tha se rezultati i zgjedhjeve lokale nuk është ai që kanë dëshiruar, por që sërish është i kënaqur nga numri i votave krahasuar me vitin e kaluar. (Florije Beluli - Kamberi, TVM2)
