Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN vazhdon fushatën për rrethin e dytë
21.10.2025 22:45
Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për rrethin e dytë...

Koalicioni VLEN vazhdon fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunat ku garojnë kandidatët e saj. VLEN-i tanimë ka fituar në 5 komuna që në rrethin e parë, ndërsa mbetet në garë për rrethin e dytë në 6 komuna.
Po ashtu nga ky koalicion theksojnë se votuesi ka delegjitimuar politikën e oponentëve politikë, pasi VLEN-i është fitues i zgjedhjeve lokale.
Me votën e tyre, qytetarët janë shprehur pro kandidatëve dhe programit të këtij koalicioni. Nga ky koalicion thonë se pas zgjedhjeve të 19 tetorit, VLEN-i është subjekti i dytë në Maqedoninë e Veriut. Fitoren sipas tyre e dëshmon epërsia prej katër mijë votash në Tetovë i kandidatit të këtij koalicioni, Bilall Kasami, si dhe fitorja që në rrethin e parë të kandidatit të VLEN-it, Izet Mexhiti.
"Në bazë të numrit të komunave të fituara dhe të komunave që shkojnë në raundin e dytë, fitues politik i këtyre zgjedhjeve është koalicioni VLEN dhe ne jemi subjekti i dytë në RMV. Ndërkaq, meqë kundërshtarët tanë politikë ishin deklaruar se kriter për ta vlerësuar fituesin e zgjedhjeve do të jetë fituesi në Çair, me fitoren plebishitare të Izet Mexhitit në Çair, por edhe me epërsinë prej rreth 4.000 votave në Tetovë, VLEN-i është fituesi i këtyre zgjedhjeve.”, - deklaroi Bashkim Bakiu nga VLEN.
Bashkim Bakiu nga VLEN, po ashtu ka deklaruar se oponentët politikë Aleanca Kombëtare për Integrim, duhet të ndërpresin heshtjen dhe të prononcohen, respektivisht ta pranojnë humbjen në rrethin e parë të zgjedhjeve, sepse ata vet kishin kërkuar referendum dhe kishin deklaruar se fitorja në komunën e Çairit ishte beteja kryesore.
Kjo, sipas koalicionit VLEN nënkupton se ata pësuan disfatë në referendumin e kërkuar vetë dhe e humbën betejën në komunën kryesore, atë të Çairit.
Nga Koalicioni VLEN po ashtu shprehin keqardhje për mosarritjen e censusit të nevojshëm në komunën e Gostivarit dhe Vrapçishtit, ndërsa kërkojnë mbështetjen e qytetarëve në rrethin e dytë në 6 komunat ku janë në garë, përfshi Dibrën dhe Tetovën, ku kandidatët e këtij koalicioni dolën me më së shumti vota në rrethin e parë.
"Shkojmë si fitues në raundin e dytë në Tetovë, Dibër, Strugë, Dollnen dhe në Bërvenicë do të jemi në garë në rrethin e dytë. Për fat të keq, në komunën e Gostivarit dhe në komunën e Vrapçishtit nuk është arritur censusi i nevojshëm. Sa i takon komunës së Çashkës, duam të theksojmë se VLEN nuk ka garuar fare. Ndonëse gara është bërë me logo të AKI-së, atje ne nuk kemi garuar me kandidat dhe listën tonë, në mënyrë që të mos rrezikojmë fitoren e kandidatit shqiptar.”, - theksoi Bashkim Bakiu nga VLEN.
Nga koalicioni VLEN bëjnë të ditur se edhe gjatë fushatës për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale në vend, që do të mbahet më 2 nëntor, do të vazhdojnë takimet me qytetarë, me synimin që t’ua shpalosin ofertën e tyre programore, në kërkim të mbështetjes që edhe në rrethin e dytë të sigurojnë mbështetje masovike, që kandidatët e VLEN-it të shënojnë fitore në komunat ku garojnë. (Fitore Demolli, TVM2)
