Maqedoni

QKM: Mbledhje koordinuese me institucionet kompetente për gatishmërinë gjatë periudhës dimërore

22.10.2025 09:51

Në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) u mbajt një mbledhje koordinuese me përfaqësues nga të gjitha institucionet dhe organizatat kompetente...

Në Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) u mbajt një mbledhje koordinuese me përfaqësues nga të gjitha institucionet dhe organizatat kompetente, me qëllim përgatitjen dhe koordinimin më të mirë për periudhën e ardhshme dimërore. Në takim, drejtori i QMK-së, Muhamed Ali dhe zëvendësdrejtori, Trajçe Jovanovski, theksuan rëndësinë e koordinimit, komunikimit dhe veprimit të përbashkët në kohë të të gjitha institucioneve që janë pjesë e Sistemit për menaxhim me kriza.
 
Sipas informacioneve nga QMK, në mbledhje u diskutua për gjendjen në terren, parashikimet meteorologjike, gjendjen e rrugëve dhe mundësinë e rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për nivelin e ujit në lumenj dhe pika të tjera kritike. U shqyrtuan gjithashtu edhe aktivitetet e Kryqit të Kuq që lidhen me strehimin dhe ndihmën për personat e rrezikuar dhe të pastrehët.
 
“Qëllimi i mbledhjes ishte forcimi i koordinimit dhe komunikimit ndërmjet të gjithë subjekteve në Sistemin për menaxhim me kriza, për reagim në kohë dhe ndërmarrje masash në rast të rreziqeve dhe fatkeqësive të mundshme gjatë periudhës dimërore. U vendos theks i veçantë në nevojën për njoftim të shpejtë, përdorimin e numrit 112 për thirrje urgjente dhe shkëmbimin e planeve operative midis institucioneve”, njoftoi QMK.
 
Në komunikatë theksohet se QMK do të vazhdojë me monitorimin e rregullt të situatave dhe koordinimin e aktiviteteve me të gjitha subjektet kompetente, me qëllim sigurimin e një reagimi në kohë dhe efikas gjatë dimrit që po vjen.