Botë
Serbi, zjarr dhe të shtëna pranë Kuvendit, një i plagosur
22.10.2025 12:27
Një person është plagosur si pasojë e të shtënave pranë Kuvendit të Serbisë...

Një person është plagosur si pasojë e të shtënave pranë Kuvendit të Serbisë gjatë një incidenti ku shpërtheu edhe zjarri në një tendë aty pranë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka cilësuar këtë incident si “akt terrorist”. Duke folur në një ceremoni për nënshkrimin e një kontrate për ndarjen e fondeve për blerjen e shtëpive rurale, Vuçiqi tha se i duhej të largohej nga kjo ngjarje për shkak të "aktit terrorist para Kuvendit të Serbisë". Ndërkohë, zjarri në tendë u shua rreth mesditës, pasi ndërhynë zjarrfikësit dhe tymi që dilte nga tenda u zhduk pothuajse plotësisht.
Radio Televizioni i Serbisë raportoi se policia e arrestoi një burrë para Kuvendit, nën dyshimin se e ka plagosur me armë zjarri një burrë tjetër.
Shërbimi i ambulancës e konfirmoi më parë se një person është transportuar në Qendrën e Emergjencës.
