Maqedoni

Aksion policor në Shkup, policia bastis 15 lokacione

22.10.2025 14:25

Policia ka realizuar bastisje në Shkup kundër një rrjeti të dyshuar për pastrimin e parave dhe fajdesë....

Policia ka realizuar bastisje në Shkup kundër një rrjeti të dyshuar për pastrimin e parave dhe fajdesë. Sipas informacioneve jozyrtare, Ministria e Brendshme, nëpërmjet repartit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të Byrosë për Siguri Publike dhe bashkëpunimit me prokuror të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nga mëngjesi i sotëm kanë bastisur 15 lokacione. Nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit thonë se aksioni ka të bëjë me kapjen e personave që dyshohen për fajde dhe pastrim parash. Dyshohet se rrjeti kriminal është i përbërë nga një grup njerëzish, si dhe ndërmarrje të cilat janë përfshirë në më shumë aktivitete të jashtëligjshme.
 
“Nën udhëheqjen e prokurorit të rastit nga Prokuroria Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit, njësitë e MPB-së po kryejnë bastisje në disa lokacione në Shkup. Bëhet fjalë për persona të dyshuar për të cilët ekziston dyshim bazë se kanë kryer veprën penale të fajdesë dhe pastrimit të parave. Detaje të tjera do të bëhen publike pas përfundimit të aksionit.”, thonë nga Prokuroria.
 
Sipas informacioneve jozyrtare, bëhet fjalë për 2 milionë euro, para të jashtëligjshme, të cilat janë futur në rrjedhat legale financiare dhe është blerë pronë e patundshme.
 
MERAL ISMAILI