Maqedoni
Punonjësit e NP “Parqe dhe Gjelbërim” protestojnë për pagat e papaguara të shtatorit
22.10.2025 14:44
Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive të saj “Florakom” dhe “Luna” kanë protestuar...

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” dhe kompanive të saj “Florakom” dhe “Luna” kanë protestuar për herë të tretë me radhë për shkak të pagave të papaguara për muajin shtator, të cilat, konformë ligjit, duhej të ishin paguar deri më 15 tetor.
Duke bllokuar kryqëzimin e Bulevardit “Ilinden”, ata kërkuan pagesën e menjëhershme të pagave dhe respektimin e dispozitave të marrëveshjes kolektive, përkatësisht pagesën e shtesave të pagave, kompensimin për pushimet vjetore dhe kompensimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për shkak të pensionimit.
“Muajin e kaluar paga u vonua dhe tani nuk mund të jepet as për këtë muaj, sepse përmbaruesit do t’i mbledhin mjetet nga Ndërmarrja “Parqe dhe Gjelbërim”, dhe kështu sërish nuk do të ketë paga për punonjësit. Ne apelojmë te kryetari i Qytetit të Shkupit dhe drejtori që të sigurojnë pagesën në afatin e përcaktuar ligjor.”, - deklaroi Goran Risteski nga Sindikata e Pavarur e NP “Parqe dhe Gjelbërim”.
Këto tre kompani kanë gjithsej rreth 750 të punësuar, prej të cilëve 170 janë me kontratë të përkohshme. Sipas sindikatës, gjatë muajit të fundit sindikatat kanë paraqitur vazhdimisht kërkesa për takim dhe bisedime me drejtuesit e NP “Parqe dhe Gjelbërim”, me drejtorin dhe Bordin e Drejtorëve, por për fat të keq nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Sindikata e Pavarur e NP “Parqe dhe Gjelbërim”, “Florakom” dhe “Luna” ka bërë të ditur se do të vazhdojë protestat derisa të paguhen pagat e muajit shtator dhe të thirren në takim me menaxhmentin e kompanisë.
ARMEND MURSELI
