Ekonomi

BEI do të rrisë investimet jashtë BE-së, vendet kandidate do të kenë akses të plotë

22.10.2025 15:31

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve ka miratuar orientimet strategjike për BEI Globale...

Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve ka miratuar orientimet strategjike për BEI Globale, krahun e saj të partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit. Ky plan synon t’i përgjigjet sfidave globale dhe të forcojë rolin e Evropës në një peizazh gjeopolitik në ndryshim. Orientimet përmirësojnë mbështetjen për projekte me ndikim në mbi 130 vende, duke u përshtatur me nevojat lokale dhe prioritetet e BE-së. 
 
Vendet kandidate për në BE do të kenë akses në të gjithë gamën e instrumenteve të BEI-së, nga produktet e investimeve të përshtatura deri te mekanizmat e ndarjes së rrezikut dhe asistenca teknike. Grupi i BEI-së do të përqendrohet në projekte strategjike të infrastrukturës për të përmirësuar lidhjen rajonale dhe integrimin e anëtarëve të ardhshëm të BE-së.
 
Në fqinjësinë e BE-së, prioritet do të jetë stabiliteti ekonomik, energjia e pastër, lidhjet fizike dhe siguria energjetike. Orientimet udhëheqin investimet jashtë BE-së në fusha si energjia e pastër, transporti i qëndrueshëm, shëndeti, arsimi, infrastrukturat që forcojnë zinxhirët e furnizimit dhe fuqizimi i grave.
 
Nga 2025 deri në 2027, BEI do të ofrojë financim deri në 10 miliardë euro në vit, përfshirë asistencën teknike për përshpejtimin e projekteve dhe pronësinë lokale. Procedurat e financimit do të thjeshtohen në bashkëpunim me bankat e zhvillimit dhe partnerët e BE-së, për të përshpejtuar investimet në projektet kryesore globale. Në fokus janë edhe zinxhirët e furnizimit dhe lëndët e para kritike, me nisma për mbështetjen e eksportuesve evropianë dhe diversifikimin e furnizimeve.
 
BEI po ndërmerr një nismë mbarëevropiane për tregtinë dhe investimet, duke ofruar garanci dhe financim për eksportuesit dhe kompanitë evropiane. Prioritetet rajonale përshtaten sipas nevojave lokale dhe politikave të BE-së, duke ndihmuar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Në Ukrainë, BEI ka ofruar 4 miliardë euro që nga fillimi i luftës, duke riparuar infrastrukturën dhe shërbimet kritike dhe do të rrisë mbështetjen për rimëkëmbjen dhe integrimin në BE.
Presidentja e grupit të BEI-së, Nadia Calvinjo, thekson rëndësinë e bashkëpunimit dhe ofrimit të zgjidhjeve të favorshme për të dyja palët. BEI Globale do të vazhdojë zbatimin e strategjisë "Global Gateway" të BE-së, duke avancuar ambiciet klimatike dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
 
ARLINDA BAFTIU