Botë
Revolta në Izrael nga njohja e Palestinës, Netanjahu: Nuk do të lejojmë një gjë të tillë
22.10.2025 15:54
Për shkak të rritjes së numrit të vendeve që e pranojnë Palestinën...

Për shkak të rritjes së numrit të vendeve që e pranojnë Palestinën si shtet të pavarur, në mesin e popullit të Izraelit dhe zyrtarëve të këtij shteti është ngjallur zemërim i madh dhe revoltë.
Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se me këtë njohje i jepni një dhuratë të madhe terrorizmit dhe një gjë të tillë nuk do ta lejojmë. Tel Avivi u kërcënua se do të ndërmarrë kundërmasa dhe do të aneksojë Bregun Perëndimor.
“Kam një mesazh të qartë drejtuar atyre liderëve që e pranojnë shtetin e Palestinës pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit. Ju i jepni një dhuratë të madhe terrorizmit. Kjo nuk do të ndodhë, sepse nuk do të lejojmë një gjë të tillë! Nuk do të ketë shtet palestinez deri në pjesën perëndimore të Jordanisë. Përgjigjja e përpjekjeve të fundit që të na imponohet një shtet terrorist në zemër të vendit tonë, do të jepet pas kthimit tim nga ShBA-ja.”, - deklaroi kryeministri i Izraelit, Banjamin Netanjahu.
Për Tel-Avivin, njohja e shtetit palestinez vetëm sa do ta destabilizojë edhe më shumë rajonin, duke përshkallëzuar konfliktin në vende të tjera. Pas Britanisë së Madhe, Australisë, Kanadasë, e fundit që iu bashkua vendeve që e pranojnë Palestinën është edhe Portugalia dhe tashmë ka paralajmërime edhe për vende të tjera.
“Pranimi i shtetit të Palestinës është përmbushje e një politike themelore, të qëndrueshme dhe të pranuar gjerësisht. Portugalia qëndron për zgjidhje me dy shtete si rrugë e vetme drejt paqes dhe drejtësisë, që promovon qëndrueshmëri dhe marrëdhënie paqësore mes Izraelit dhe Palestinës.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Portugalisë, Paulo Rangel.
Në Samitin vjetor të OKB-së në Nju Jork, pritet që Franca dhe disa vende të tjera si Belgjika, Luksemburgu dhe Zelanda e Re, ta njohin shtetin e Palestinës. Presidenti i Francës, Emanuel Makron, tha se njohja e këtij shteti nga Franca nuk do të përfshijë menjëherë hapjen e një ambasade, derisa Hamasi nuk i liron të gjitha pengjet.
“Palestinezët kërkojnë shtet me etnitetin e tyre dhe nuk duhet t’i shtyjmë drejt Hamasit. Nëse nuk u ofrojmë perspektivë politike dhe një njohje të tillë, ata do të mbeten të bllokuar me Hamasin si zgjidhje e vetme. Nëse duam ta izolojmë Hamasin, procesi i pranimit bashkëngjitur me një plan paqeje, është parakusht për një gjë të tillë.”, - u shpreh presidenti i Francës, Emanuel Makron.
ShBA-ja dhe Izraeli do ta bllokojnë samitin, njoftoi ambasadori i përhershëm i Izraelit në OKB, Deni Danon, duke e quajtur cirk këtë samit. ShBA-ja është e përkushtuar në vendime serioze diplomatike dhe jo në veprime simbolike, thonë nga Uashingtoni. Për presidentin e Palestinës, Mahmud Abaz, njohja e shtetit është një hap i rëndësishëm drejt paqes së përhershme.
FARIJE DAUTI BAKIU
