Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Kasami nis fushatën në Tetovë

22.10.2025 17:05

Kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami...

Kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, ka nisur fushatën nga sheshi i qytetit, prej ku ka deklaruar se gara për këtë komunë tashmë është e mbyllur që në rrethin e parë dhe se balotazhi do të jetë vetëm një formalitet për ta konfirmuar fitoren.
 
Kasami shfaqi besimin e tij se do të arrijë t’i bindë edhe ata pak qytetarë, të cilit nuk ka arritur t’i bindë në rrethin e parë. Shumica e tetovarëve tanimë vendosën në raundin e parë, që ai të vazhdojë edhe katër vite ta drejtojë Tetovën, thotë Kasami, duke shtuar se synimi i tij është të vazhdojë me realizimin e projekteve në të mirë të Tetovës dhe tetovarëve.
 
Kasami paralajmëron një fushatë dinamike edhe në rrethin e dytë, duke vazhduar promovimin e programit të tij derë më derë, në çdo shtëpi, te çdo qytetarë, siç thotë ai për të dëshmuar përkushtimin për Tetovën dhe tetovarët. Kasami njëherësh shprehu besimin e tij se pas katër vitesh do të ketë edhe qytetarë nga mërgata, të cilët do të kthehen për të investuar dhe për të jetuar në qytetin e Tetovës. 
 
“Vazhdojmë promovimin e programit derë më derë, në çdo shtëpi, do të arrijmë te çdo votues, për të treguar edhe njëherë përkushtimin tonë për Tetovën, për tetovarët, që përfundimisht për këto katër vite Tetovën ta bëjmë vërtetë një qytet evropian në të cilin, le që do të duam të jetojmë, por unë besoj se pas katër vitesh do të kemi mundësi që të ketë edhe qytetarë nga mërgata, të cilët do të kthehen.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
 
Nga VLEN-i thonë se përveç në Tetovë, fuqishëm futen në raundin e dytë edhe në Dibër, Strugë, Bogovinë, Bërvenicë dhe Dollnen. Njëherësh nga ky koalicion theksojnë se forca e VLEN-it në rrethin e parë u ndje në çdo vendbanim ku ka shqiptarë. 
 
“Koha e keqqeverisjes, arrogancës dhe mashtrimit ka marr fund edhe në pushtetin lokal. Në çdo cep ku ka shqiptarë, u ndje fryma e fitores, u ndje forca e VLEN-it. Fuqishëm kemi hyrë në raundin e dytë, në Tetovë, Dibër, Strugë, Bogovinë, Bërvenicë dhe Dollnen, ku qytetarët e kanë bërë të qartë se duan dinjitet, zhvillim dhe politikë të pastër. Përballë këtij vullneti të madh qytetar, AKI dështoi.”, - theksoi Driton Sulejmani nga VLEN.
 
Nga VLEN, njëherësh deklarojnë se oponenti i tyre politik AKI për të shpëtuar është në gjendje të bashkëpunojnë edhe me djallin, konkretisht me “Levicën albanofobe”, duke dëshmuar se për pushtet janë gati të shesin çdo parim dhe çdo ideal.
 
Sipas koalicionit VLEN, shqiptarët e dinë se ndryshimi tanimë është i pakthyeshëm. Ata e dinë se e ardhmja është me VLEN-in, me njerëzit e punës, dinjitetit dhe vizionit, prandaj nuk do të lejojnë të mashtrohen, as në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.
 
Sipas koalicionit VLEN, qytetarët i dhanë fitoren në rrethin e parë, për çka janë falënderues dhe do të jetë fitues edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 2 nëntor. 
 
GYLTENE SINANI