Maqedoni
Londra, nikoqire e Samitit të Procesit të Berlinit: Eurointegrimi, siguria dhe migracioni, tema kryesore
22.10.2025 17:37
Integrimi në Bashkimin Evropian, migracioni, siguria dhe rritja ekonomike...

Integrimi në Bashkimin Evropian, migracioni, siguria dhe rritja ekonomike, në fokus të Samitit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Takimi i sivjetmë i zhvilluar në Londër nën mikpritjen e kryeministrit britanik, Keir Starmer, mblodhi në një tryezë liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së.
Konferencën e inciativës rajonale, delegacioni ynë e ka shfrytëzuar për takime dypalëshe me zyrtarë nga vende të ndryshme. Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, me shpresë që takimi të nxjerrë përfundime që do të shpejtonin procesin eurointegrues të vendit dhe rajonit.
“Presim diskutim produktiv, presim vërtetim të pozicioneve të shumë vendeve nga Bashkimi Evropian drejt integrimit sa më të shpejt të Ballkanit Perëndimor. Gjithsesi ne do të kemi mundësi, përsëris, që t’i afirmojmë pozicionet tona më të rëndësishme, të drejtuara para së gjithash në sigurimin e parashikueshmërisë dhe sigurinë e procesit tonë eurointegrues, parashikueshmëri dhe siguri, të cilat për fat të keq gjatë kohë nuk i kemi.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Kryeministri Mickoski në suaza të Samitit është takuar me mbretin Çarls të tretë, ku theksi i bisedës është vendosur në stabilitet, zhvillim dhe mbrojtjen e natyrës. Takimet bilaterale tjera të kryeministrin me politikanë ndërkombëtarë janë drejtuar për ekonominë, infrastrukturën dhe bashkëpunimin strategjik. Edhe ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani, pjesë e delegacionit, në margjina të konferencës së lartë ka shfrytëzuar rastin për t’u takuar me homologun e tij britanik, Stiven Doti.
Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike gjermane e nisur në vitin 2014, që si platformë ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
NERMIN MULAKI FEZJULLAHU
