Botë

Gjenden 139 varre në Malajzi, dyshohen se janë të emigrantëve ilegalë

25.05.2015 12:31

Policia në Malajzi ka gjetur 139 varre pranë 28 kampeve paraburgimi të braktisura, që kanë shërbyer si qindra strehimi për emigrantët ilegalë...

Policia në Malajzi ka gjetur 139 varre pranë 28 kampeve paraburgimi të braktisura, që kanë shërbyer si qindra strehimi për emigrantët ilegalë në këtë krizë që ka përfshirë të gjithë rajonin aziatik.
 
Shefi i Policisë kombëtare, Khalid Abu Bakar, tha se autoritetet po bëjnë zhvarrosjen e eshtrave, por ende është e paqartë se si janë hapur këto varre masive në këtë zonë të largët në mes të xhunglës, pranë kufirit me Tajlandën. 
 
“Kemi zbuluar 139 vende për të cilat besojmë se janë varre, por ende nuk jemi të sigurt. Kemi gjetur edhe 28 kampe dhe një trup brenda njërës prej gropave, që është në gjendje të rëndë dekompozimi dhe shpejt do të bëhet autopsia për të zbuluar kohën e vdekjes dhe mënyrën se si ka vdekur”- deklaroi shefi i Policisë kombëtare të Malajzisë, Khalid Abu Bakar.
 
Por, megjithëse autoritetet nuk janë ende të sigurta se çfarë kanë gjetur, mbetjet janë të ngjashme me ato që u gjetën nga policia “Thai” në fillim të muajit e që tregojnë një sistem kampesh për njerëzit që jetonin në xhungël, një zbulim që ka ndezur shqetësime rajonale në lidhje me kontrabandën dhe trafikimin e njerëzve.
 
Numri dhe madhësia e kampeve sugjerojnë se ato kanë pasur kapacitet strehimi për qindra njerëz.
 
Malajzia tashmë është deklaruar se nuk do të lejojë asnjë formë të trafikimit të qenieve njerëzore, por aktivistët e të drejtave të njeriut thonë se kriminelët nuk do të mund të funksiononin në një shkallë kaq të gjerë pa përkrahjen e autoriteteve. 
 
"Unë jam i sigurt se autoritetet në kufi e dinë se çfarë po ndodhë dhe kush janë kriminelët. Autoritetet duhet të mbajnë përgjegjësi. Ata e dinë se kush janë këta njerëz, por po tregon vullnet që t’i ndalë ata"- tha Aegile Fernandez nga Shoqata e të Drejtave të Njeriut-Malajzi.
 
Grupet antitrafik thonë se rajoni kufitar pranë Vang Kelian është një pikë kyçe transiti në një rrugë të emigrantëve ilegalë nga Bangladeshi dhe Mianmari, deri në  Malajzi dhe më gjerë.
 
Departamenti amerikan i shtetit në raportin vjetor akuzoi  Malajzinë se e ka të njohur problemin, por nuk po ndërmerr asgjë, por autoritetet malajziane arsyetohen se kampet janë thellë në xhungël dhe është vështirë të arrihen. 
 
ERSAN PAJAZITI