Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Feti Abazi i VLEN-it vazhdon fushatën në Bogovinë
23.10.2025 13:18
Kandidati i koalicionit VLEN, Feti Abazi, vazhdon fushatën për kryetar të komunës së Bogovinës....

Kandidati i koalicionit VLEN, Feti Abazi, vazhdon fushatën për kryetar të komunës së Bogovinës. Ai thotë se që në rrethin e parë votuesit dëshmuan se dëshirojnë ndryshime, prandaj ai mori më së shumti vota. As kërcënimet apo shantazhet nuk i ndalën qytetarët që të votojnë për të sjellë ndryshimin në komunën e Bogovinës, thekson Abazi. Ai u shpreh mirënjohës dhe falënderues për të gjithë qytetarët që morën pjesë në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale më 19 tetor, e sidomos ata që votuan për atë si kandidat për kryetar komune dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal nga koalicioni VLEN.
“Në Bogovinë veç më ka ndodhur ndryshimi, ne kemi dalë fitues në raundin e parë. Qytetarët e komunës tonë kanë treguar qytetari dhe vetëdije të lartë, edhe përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, blerjes së votës, qytetarët kanë treguar se e duan ndryshimin. Lirisht mund të themi se nuk ka kush e ndalë hovin e ndryshimit.”,- deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Bogovinës, Feti Abazi.
Ai thotë se vullneti i qytetarëve për ndryshim duhet të rikonfirmohet edhe në rrethin e dytë të zgjedhjeve që mbahet më dy nëntor, që përfundimisht të mund ta marrë mandatin e kryetarit të komunës dhe të nisë t’i realizojë projektet që janë pjesë e programit të tij parazgjedhor.
“Neve na ka ngelur edhe një herë në raundin e dytë ta finalizojmë këtë që e kemi nisur bashkë, me votuesin shqiptar. I ftoj qytetarët që masivisht të na bashkëngjiten edhe në raundin e dytë dhe të bëhemi bashkë për finalizim në betejën tonë që kemi nisur për ndryshim.”,- tha kandidati i VLEN-it për kryetar të komunës së Bogovinës, Feti Abazi.
Abazi fton qytetarët që edhe në rrethin e dytë të dalin masivisht për të votuar, me çka do ta argumentonin ndryshimin në komunën e Bogovinës. VLEN vazhdon fushatën edhe në komunat tjera ku garon në rrethin e dytë, përfshirë Tetovën dhe Dibrën, si dhe vazhdon ta mbështesë kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, në komunën e Strugës.
Nga VLEN thonë se megjithëse bëhet fjalë për zgjedhje lokale, disfata e AKI-së ishte kombëtare. Tentativat e dëshpëruara të AKI-së së shpartalluar dhe pa busull për t’i përkthyer zgjedhjet e 19 tetorit në “mandate deputetësh”, janë dëshmi se ky koalicion nuk ka humbur vetëm vota, por edhe kontaktin me realitetin. Këto ishin zgjedhje lokale. Dhe pikërisht këtu, shqiptarët folën më qartë se kurrë, zgjodhën ndryshimin, zgjodhën VLEN-in. Në më shumë se dhjetë komuna, shqiptarët dhanë besimin për energji të re, për fytyra që punojnë, jo që fshihen pas patriotizmit të rremë kur s’kanë çfarë t’u ofrojnë njerëzve. Ata zgjodhën politikën e rezultateve, jo politikën e frikës, theksojnë nga Koalicioni VLEN, duke kërkuar përkrahje për kandidatët e tyre edhe në rrethin e dytë.
FITORE DEMOLLI
