Rajon

OSBE/ODIHR, për zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, del me 25 rekomandime për reformën zgjedhore

23.10.2025 14:16

Për monitoruesit ndërkombëtarë të 11 majit, zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht...

Për monitoruesit ndërkombëtarë të 11 majit, zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri ishin konkurruese dhe të zhvilluara profesionalisht, por u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar politik  dhe garuesit nuk gëzonin kushte të barabarta loje. Raporti final i OSBE-ODIHR-it flet për kërcënime të kandidatëve.
 
“Fushata ishte përgjithësisht e qetë, por megjithatë u karakterizua nga një diskurs konfrontues dhe polarizues, veçanërisht në internet dhe veçanërisht midis dy partive kryesore politike dhe udhëheqësve të tyre. Votuesit kishin mundësi të zgjidhnin midis alternativave politike dhe garuesit në përgjithësi gëzonin liri fushate, por fusha e lojës ishte e pabarabartë me partinë në pushtet që përfitonte nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe ndikimit institucional, duke zbehur vijën ndarëse midis shtetit dhe partisë. U vunë re akuza për presion mbi punonjësit publikë, raste të frikësimit të mbështetësve të opozitës dhe keqpërdorim të rrjeteve të patronazhit, gjë që është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.”, - thuhet në raportin e ODIHR-it.
 
Raporti përfshin shqetësimin për raportimet për blerje të votave dhe ndikimin e dyshuar të elementeve kriminale në zgjedhjet në disa zona. Madje në raport, përfshihet si me ndikim negativ edhe mbyllja e Tik-Tok-ut.
 
“Ndalimi i qeverisë për Tik-Tok, që nga 6 marsi 2025, kufizoi mundësitë e fushatës së disa kandidatëve”.
 
Etiketimet mes Ramës e Berishës gjatë fushatës elektorale janë gjithashtu të përfshira në raport.
 
“Toni i fushatës ishte shpesh konfrontues, me sulme personale midis dy partive kryesore dhe udhëheqësve të tyre. Z. Rama e quajti vazhdimisht kundërshtarin e tij, z. Berishën, një “buf kënete”, dhe udhëheqës të tjerë të opozitës si “krijesa kënete”. Z. Berisha, nga ana tjetër, e quajti z. Rama “Antikrisht”, një “përbindësh” dhe qeverinë si “narkodiktaturë”.”
 
ODIHR-i jep 25 rekomandime për politikën shqiptare, ndër të cilat reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Për kryetarin demokrat Sali Berisha, ky raport vërteton farsën zgjedhore.
 
LULJETA NDOKA