Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Arsim Dalipi i AKI-së vazhdon fushatën në Strugë
23.10.2025 14:38
Dalipi vazhdon me shpalosjen e programit dhe vizionit të tij për Strugën...

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arsim Dalipi, vazhdon me shpalosjen e programit dhe vizionit të tij për Strugën, me synimin që në rrethin e dytë të marrë besimin e qytetarëve për ta udhëhequr Strugën në katër vitet e ardhshme. Ai i ka quajtur propagandë e ulët thirrjet e oponentit politik se ai duhet të tërhiqet nga gara, duke theksuar se në rrethin e parë e kishte ftuar kandidatin e pavarur, Mendi Qyra, në sfidën që kush të merrte një votë më pak të tërhiqet, por ai, siç thotë Dalipi, nuk e ka pranuar sfidën. Dalipi thotë se jo vetëm që nuk ka arsye të tërhiqet nga gara, por do të vazhdojë përpjekjet për të arritur deri te fitorja. Ai thotë se është i vendosur ta çojë deri në fund këtë betejë me dinjitet dhe vendosmëri.
“Sot ju them pastër dhe qartë, Arsim Dalipi nuk ka asnjë arsye për t’u tërhequr nga gara, përkundrazi kam çdo arsye për të vazhduar me energji, me mbështetje edhe më të madhe dhe me besim të plotë në fitoren tonë. Në ditët në vijim, së bashku me ekipin tim, do të jemi në terren pranë qytetarëve, duke dëgjuar, bashkëbiseduar dhe duke i qëndruar besnik të gjithë atyre që në këtë rrugëtim na kanë mbështetur pa asnjë rezervë. Ne nuk kemi pse të ndalemi, ne do ta çojmë deri në fund këtë betejë me dinjitet dhe vendosmëri.”, - deklaroi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
Dalipi thotë se optimizmin për fitore e rrit edhe fakti se në rrethin e parë Aleanca Kombëtare për Integrim ishte fituese e zgjedhjeve në qytetin e Strugës, pasi sipas tij, këtë e dëshmon numri i votave që ky koalicion ka marr për këshilltarë komunalë duke siguruar tetë këshilltarë. Ai njëherësh ka theksuar se votat që ai ka marr në rrethin e parë si kandidat për kryetar të Strugës kanë qenë të ndershme dhe të dhëna në besim, pa asnjë shantazh.
“AKI është forca e parë politike në komunën e Strugës, me gjithsej tetë këshilltarë të fituar, që është një tregues i fuqishëm i besimit që qytetarët kanë shprehur ndaj nesh. Kjo fitore në këshillin komunal dhe votat për kandidaturën time 9.719, na obligojnë që edhe më tej të vazhdojmë me përkushtim dhe seriozitet për ta çuar Strugën drejtë ndryshimit të vërtetë. Ato janë vota të ndershme, me besim dhe të pastra.”, - theksoi kandidati i AKI-së për kryetar të Strugës, Arsim Dalipi.
Garën në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale e vazhdon edhe kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, dhe kandidati për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi. Ata kanë paralajmëruar se fushatën në rrethin e dytë do ta përqendrojnë në takime me qytetarë, për t’ua shpalosur ofertën e tyre programore, që, siç thonë ata, të sigurojnë fitore në ditën e votimit në rrethin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahen më 2 nëntor. Ndërkohë nga AKI thonë se nëse VLEN pretendon se është fituese e zgjedhjeve të 19 tetorit, atëherë e ftojnë që të shkojnë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por, sipas Aleancës Kombëtare për Integrim, edhe nëse votat e fituara për këshilltarë komunalë në zgjedhjet e 19 tetorit, do të përktheheshin në mandate deputetësh, AKI do të kishte 20 mandate, ndërsa VLEN-i me votat e fituara do të arrinte vetëm 15 mandate deputetësh.
GYLTENE SINANI
