Maqedoni

Dita e Luftës Revolucionare Maqedonase, krerët shtetërorë urojnë 23 Tetorin

23.10.2025 15:05

Me rastin e 23 Tetorit udhëheqësit më të lartë të shtetit përcollën mesazhe urimi dhe reflektimi mbi rëndësinë historike të kësaj date...

Me rastin e 23 Tetorit, presidentja Gordana Siljanovska Davkova, u dërgoi një mesazh urimi qytetarëve me mesazh për ta vazhduar rrugën revolucionare, jo me armë, por me një urtësi revolucionare, dituri revolucionare dhe me reforma revolucionare.
 
“Me krenari kujtojmë rolin madhështor historik të organizatës revolucionare maqedonase, mbi shpirtin dhe veprën e së cilës mbështetet shtetësia maqedonase. Nuk është rastësi që Republika, në nenin 36 të Kushtetutës, u garanton të drejta të veçanta atyre që luftuan për identitetin e popullit maqedonas dhe shtetësinë e tij në luftërat nacionalçlirimtare për Maqedoninë.”, theksoi presidentja Siljanovska Davkova.
 
Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dërgoi urim me rastin e 23 Tetorit - Ditës së Luftës Revolucionare Maqedonase, duke theksuar se kjo datë na kujton përpjekjet për të drejta, barazi dhe organizim shoqëror në një periudhë të rëndësishme historike.
 
“Kjo ditë na ofron mundësinë të reflektojmë mbi rrugën që kemi ndjekur si shtet dhe përkushtimin tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përfshirjes mund të ndërtojmë institucione më të forta dhe një shtet më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës. Me këtë rast, uroj që kjo ditë të na shërbejë si një thirrje për unitet, përkushtim qytetar dhe angazhim të përbashkët për të ardhmen e vendit tonë.”, thuhet në urimin e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi.  
 
Me rastin e kësaj feste, delegacioni parlamentar vendos lule të freskëta në monumentin e themeluesve të VMRO-së.  
 
BELINDA KOKA ADEMI