Maqedoni

Problem me mbeturinat në kryeqytet, qytetarët: Kanë filluar të pastrohen kontejnerët

23.10.2025 15:44

Kryeqyteti tashmë një kohë të gjatë po përballet me një krizë serioze komunale...

Kryeqyteti tashmë një kohë të gjatë po përballet me një krizë serioze komunale, mbeturina jashtë dhe brenda kontejnerëve, ku kundërmon erë e rëndë. Prokuroria po heton, pritet ndihmë për pastrimin nga qytete të tjera pas mbledhjes së jashtëzakonshme të BNjVL-së. Nga ana tjetër, problem shtesë si pasojë e mbeturinave është edhe përhapja e brejtësve, të cilët janë shfaqur në të gjithë qytetin.
 
“Ky është realiteti, çfarë të them më tepër, katastrofë, tash kanë filluar t’i pastrojnë kontejnerët. Shpresojmë që të rregullohet ky problem sa më parë.”, - tha një qytetar.
 
“Po, unë vij nga Kisella Voda. Kalova dhe nga Qendra dhe tashmë ishin të pastruara shumica e mbeturinave. Nuk ishte siç ka qenë para disa ditëve. Të gjithë po brengosemi për shëndetin tonë dhe kulturën tonë, sepse të gjithë kontribuojmë në këtë.”, - tha një qytetar tjetër.
 
“Jemi më të moshuar dhe nuk dalim shumë nëpër qytet, por brengosemi për fëmijët dhe të rinjtë, që të mos pësojnë nga infeksionet prej mbeturinave.”, - u shpreh një qytetar.
 
Epidemiologët paralajmërojnë se situata po bëhet serioze për shëndetin e banorëve. Nga IShP thonë se gjatë ditës së premte do të dalin me raport për problemin me mbeturinat.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI