Maqedoni

KShZ vendos për Çashkën, refuzohen ankesat e VMRO-së, LSDM tërhiqet

23.10.2025 15:51

KShZ refuzon katër kundërshtesa të Koalicionit “Maqedonia Jote” për komunën e Çashkës...

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve refuzon katër kundërshtesa të Koalicionit “Maqedonia Jote” e kryesuar nga VMRO – DPMNE për komunën e Çashkës, ndërkohë LSDM ka tërhequr 3 ankesat për të njëjtën komunë, duke mos lëkundur fitoren e kandidatit të AKI-së, Suat Shaqiri. Ankesat pretendonin për shkelje të procesit gjatë votimit, të cilat anëtarët e KShZ-së njëzëri i cilësuan si të pabaza.
 
“Se votimi ka qenë në rregull ditën e zgjedhjeve dhe qytetarët kanë vendosur të votojnë kandidatin, pa marrë parasysh që ai kandidat a është shqiptar a është maqedonas, nuk jemi ne ta përcaktojmë, ajo është vota e lirë e qytetarëve. Dhe këtu i kemi rezultatet të cilat janë shpallur në vendvotime, në prezencë të anëtarëve të këshillave zgjedhorë.”, - deklaroi anëtarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
 
“Kjo shkelje është teknike, jo thelbësore dhe kjo nëse kishte ndikuar në procesin e përgjithshëm të votimit, aq më tepër tregon edhe fakti se votuesi nuk parashtroi kundërshtim për arsye të shkeljes së drejtës së votimit në Komisionin Komunal Zgjedhor.”, - theksoi nënkryetari i KShZ-së, Abdush Demiri. 
 
“Nga gjendja faktike që është konstatuar në vendngjarje, kemi numër të saktë të fletëvotimeve në kuti e që përputhet në numrin e përgjithshëm të votuesve në listën zgjedhore. Dhe nëse kjo përputhet, atëherë nuk kemi lëshime në këtë pjesë.”, - u shpreh anëtari i KShZ-së,  Angellço Ristov.
 
Paraprakisht KShZ-ja shpalli të mbyllur procesin zgjedhor në 33 komuna, ndërkohë që po analizon kundërshtesat në dhjetë komuna të mbetura, sikurse Haraçinë, Bogdancë, Vosillovë, Butel, Veles, Gazi Babë, Krivo Gashtan, Prilep, Resnjë dhe Çair.
 
KShZ-së i mbetet të shqyrtojë edhe 17 ankesa për këshilltarë komunalë, pasi dje janë mbyllur afatet për dorëzimin e kundërshtesave. KShZ-ja të hënën mbylli procesin zgjedhor për 44 komuna. Ndërkohë që komunat tjera shkojnë në rreth të dytë, dhe katër prej tyre, Gostivar, Vrapçishttë, Mavrovë- Rostushë dhe Qendër Zhupë në rivotim.
 
MERAL ISMAILI