Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Trajanovski nga LSDM premton projekte në Aerodrom

23.10.2025 16:40

Kandidati i LSDM-së dhe Koalicionit për komunën e Aerodromit vazhdon takimet me qytetarët...

Kandidati i LSDM-së dhe Koalicionit për komunën e Aerodromit, Aleksandar Trajanovski, vazhdon takimet me qytetarët prej ku premton realizimin e të gjitha projekteve të parapara në programin zgjedhor. Trajanovski paralajmëroi ndërtimin e dy çerdheve të reja në Miçurin dhe Novo Lisiçe dhe zgjerimin e atyre ekzistuese, me qëllim që të zgjidhet problemi me listat e pritjes. Përveç kësaj, paralajmëroi ndërtimin e një godine komunale për t’iu shërbyer qytetarëve me efikasitet, si dhe përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore me komunat fqinje. Tha se Aerodromit i mungojnë vend-parkimet të reja, andaj në programin e tij është paraparë ndërtimi i parkingjeve, garazhe në kate dhe riorganizim të tërësishëm të parkimit. Aerodromit i mungon më shumë gjelbërim, terrene sportive edhe për fëmijë, parqe për kafshë shtëpiake dhe më shumë hapësirë për pushim dhe relaksim. Me këtë rast, ai premtoi mbështetje për klubet sportive në territorin e Aerodromit. Aerodromi duhet të zhvillohet në mënyrë të planifikuar, vlerëson Trajanovski.
 
“Kemi në plan realizimin e disa garazheve në kate, si dhe objekteve që montohen dhe demontohen në një nivel. Këto janë të parapara në program dhe këtë do ta zbatojmë. E dyta, është turp që komuna e Aerodromit me 100 mijë banorë të mos ketë ndërtesën e saj komunale. E treta, e dimë se si është problemi me regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, se sa problem të ithtë kanë të gjithë prindërit. Prandaj, në program kemi premtuar dy ¬çerdhe, një në Miçurin, një në Lisiçe.”, - deklaroi kandidati i LSDM-së për komunën e Aerodromit, Aleksandar Trajanovski.
 
Trajanovski vlerëson se duhet t'i japin fund një menaxhimi skajshmërisht të papërgjegjshëm dhe të keq. Duke sqaruar se Aerodromi nuk guxon të bëhet edhe një deponi e Shkupit. Ai u bëri thirrje qytetarëve të luftojnë për shtëpinë e tyre. Tha se është e patjetërsueshme zgjidhja e problemit me deponitë që ndodhen në komunën e Aerodromit, ndërsa deponinë Vardarishte tha se do ta largojnë duke kërkuar përgjegjësi dhe me presion.
 
“Të ketë emër dhe mbiemër secili që na ka sjellë në një situatë të tillë, që ne të ngulfatemi nga deponia Vardarishte. Unë mund t’u premtoj banorëve të Aerodromit se nëse kemi pengesë për të reaguar atje ku janë institucionet kompetente, do t'i marrë banorët e Aerodromit me mua së bashku në protestë, do të kërkojmë dhe do të bëjmë presion para të gjitha institucioneve kompetente për zgjidhjen e problemit të Vardarishtes dhe deponive të tjera të ngjashme.”, - theksoi kandidati i LSDM-së për Komunën e Aerodromit, Aleksandar Trajanovski.
 
Në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale, LSDM e vazhdon betejën edhe për 17 komuna dhe i fton qytetarët të dalin masivisht në votime dhe të votojnë për kandidatët e LSDM-së.
 
FLORIJE KAMBERI