Botë
Konflikti Rusi – Ukrainë, sanksione të reja nga ShBA-ja dhe BE-ja ndaj Rusisë
23.10.2025 17:03
Rrethi rreth Moskës po shtrëngohet....

Rrethi rreth Moskës po shtrëngohet. Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të reja ndaj dy kompanive më të mëdha ruse të naftës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u ka kërkuar vendeve të ndalojnë blerjen e energjisë ruse në një përpjekje për të ushtruar presion ekonomik mbi Kremlinin. Njoftimi vjen një ditë pasi Trampi njoftoi se samiti i tij i planifikuar me Putinin në Hungari është shtyrë për një kohë të pacaktuar.
"Ne e anuluam takimin me presidentin Putin. Thjesht nuk ndihej mirë. Nuk ndiheshim sikur do të arrinim aty ku duhej. Kjo është arsyeja pse e anulova, por do ta bëjmë në të ardhmen. Këto janë sanksione masive ndaj naftës. Dy kompanitë më të mëdha të naftës, ndër më të mëdhatë në botë, janë ruse. Ato prodhojnë shumë naftë. Dhe shpresoj që ai të vijë në vete dhe shpresoj që Zelenski të vijë në vete. E dini, duhen dy për të kërcyer tango.", - deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Tramp.
Nga Ministria e Jashtme ruse thonë se mbeten të hapur për dialog me ShBA-në për Ukrainën.
“Qëllimi është të merren parametra shtesë të një dialogu ruso-amerikan mbi aspekte të ndryshme të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe mbi hapat e mëtejshëm të përbashkët drejt një zgjidhjeje për Ukrainën. Ne besojmë se Uashingtoni do të vazhdojë të ndajë me ne mendimet dhe motivet e tij në lidhje me hapat e ndërmarra.”, - thanë nga Ministria e Jashtme ruse.
Edhe paketa e nëntëmbëdhjetë e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë përfshin një ndalim të importit të gazit natyror të lëngshëm rus. Brukseli po kërkon të përdorë dyqind e katër miliardë dollarë fonde ruse për një kredi për Ukrainën.
“Jemi shumë të lumtur nga sinjalet që i marrim nga Amerika në lidhje me sanksionet. Mendoj që është e rëndësishme, shenjë e forcës, për çfarë kemi rënë dakord këtu.”, - thanë nga BE.
Përpara takimit të nesërm të koalicionit të vullnetshëm, presidenti ukrainas përsëriti gatishmërinë e tij për diplomaci, por jo me kusht që Ukraina të tërhiqet nga territori i saj.
“Një armëpushim është sigurisht i mundur dhe mendoj se të gjithë kemi nevojë për një armëpushim, por na duhet më shumë presion mbi Rusinë.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Lufta vazhdon përgjatë vijës së frontit. Moska e ka sulmuar përsëri Kievin me dronë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
