Botë
Shkelet hapësira ajrore nga avionë ushtarakë, Lituania thërret diplomatin rus
24.10.2025 10:21
Lituania e ka thirrur të ngarkuarin me punë të Ambasadës e Rusisë në Vilnius...

Lituania e ka thirrur të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Rusisë në Vilnius në një takim sqarues, si dhe e ka kundërshtuar fuqishëm atë që e quajti hyrje të dy avionëve rusë në hapësirën e saj ajrore më 23 tetor.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, e quajti këtë “shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të integritetit territorial të Lituanisë. Ministria e Jashtme e Lituanisë njoftoi se e thirri të ngarkuarin me punë në Ambasadën ruse për të protestuar kundër shkeljes së hapësirës ajrore.
“Rusia duhet ta ndalë sjelljen e saj agresive, ta respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe kufijtë e shteteve fqinje.”, thanë nga Ministria.
Por, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e mohoi se ka pasur ndonjë shkelje.
“Fluturimet u kryen në përputhje të rreptë me rregullat për përdorimin e hapësirës ajrore mbi territorin rus. Aeroplanët nuk devijuan nga rruga e tyre dhe nuk shkelën kufijtë e shteteve të tjera.”, thanë nga Ministria ruse.
Kryeministrja e Lituanisë, Inga Ruginiene, tha se incidenti tregoi “edhe një herë se Rusia sillet si një shtet terrorist pavarësisht së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë së vendeve fqinje”.
Në shtator, tre avionë rusë, MiG-31, hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan atje për rreth 12 minuta. Ky incident e shtyu Talinin të kërkonte mbledhje të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut, i cili parashikon konsultime mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj njërit prej tyre.
