Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE vazhdoi fushatën në Aerodrom

24.10.2025 14:51

VMRO-DPMNE dhe Koalicioni kanë vazhduar fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve...

VMRO-DPMNE dhe Koalicioni kanë vazhduar fushatën për rrethin e dytë të zgjedhjeve, duke mbajtur tubime dhe takime të zakonshme me qytetarët. Mbrëmë ky koalicion edhe njëherë prezantoi kandidatët e tyre për kryetar të komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, dhe kandidatin për kryetar të komunës së Çuçer Sandevës, Zoran Bajoski, ku bashkërisht u zotuan se me rëndësi të madhe është që t’u jepet besimi i qytetarëve, që të mund të vazhdohen të realizohen projektet e filluara nëpër këto komuna dhe të fillojnë me zbatimin e projekteve të reja. Miteski tha se vetëm në këtë mënyrë mund të përmirësohet jeta e qytetarëve. 
 
“Si kryetar i kësaj komune vitin e kaluar, por edhe në këtë mandat u përpoqëm të bënim gjithçka që ishte në fuqinë tonë për të përmirësuar jetën në Aerodrom, ndërsa në katër vitet e ardhshme, me mbështetjen e Qeverisë dhe të  kryetarit të ardhshëm të Qytetit të Shkupit, Orce Gjeorgjievski, do ta bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë dhe një vend edhe më të bukur për të jetuar në këto vendbanime.”, - deklaroi kandidati për kryetar në Komunën e Aerodromit - VMRO-DPMNE, Dejan Miteski.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, u tha banorëve, por edhe kandidatëve të partisë së tij, se mbështetjen e Qeverisë dhe të koalicionit të cilin ai udhëheq do ta kenë gjithmonë derisa ata punojnë për mirëqenien e banorëve të tyre. Këtë mbështetje ata do të kenë jo vetëm deri më 2 nëntor, tha ai, por edhe gjatë gjithë mandatit të tyre katërvjeçar nëpër komuna.
 
Mickoski tha kjo nuk është “betejë” e thjeshtë politike, për të pasur numër të madh kryetarësh nga radhët e VMRO-DPMNE-së, por është “betejë” për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve në nivel lokal. Andaj Mickoski u bëri thirrje të gjithëve që të mos bojkotojnë dhe abstenojnë në këto zgjedhje, por të dalin dhe masivisht ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, duke rrethuar numrin 9 të VMRO-DPMNE-së.
 
“Mesazhi im është për të gjithë ata që mendojnë ose kanë mëdyshje, a të dalin të votojnë ose jo në komunat ku do të zhvillohet rrethi i dytë zgjedhor, është që të dilni dhe votoni. Votoni sipas bindjes tuaj personale edhe pse thellësisht jam i bindur se kur do të dilni të votoni, kur do të keni stilolapsin në dorë, mbrapa paravënit dhe nëse vendosni të udhëhequr sipas arsyes, shpirtit dhe zemrës, me siguri do të votoni për numrin 9.  Në Aerodrom do të vendosni për Dejanin, ndërsa në Qytetin e Shkupit për Orcen.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Në tubimin e mbrëmshëm në Çuçer Sandevë dhe Aerodrom të Shkupit, i pranishëm ishte edhe kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili garon të fituar në kryeqytet.
 
REXHEP QAMILI