Botë
Ukrainë, Evropa mbështet financiarisht Ukrainën
24.10.2025 15:10
Udhëheqësit evropianë ranë dakord t’i përgjigjen nevojave të menjëhershme financiare...

Udhëheqësit evropianë ranë dakord t’i përgjigjen nevojave të menjëhershme financiare të Ukrainës në dy vitet e ardhshme, por nuk ka marrëveshje për fondet e ngrira ruse.
Nga Këshilli Evropian thonë se askush nuk ka vënë veto dhe se synimi është të vazhdojnë me planet për përdorimin e miliarda dollarëve kapital rus të ngrirë, pavarësisht dyshimeve për pasojat e një hapi të tillë. Sot në Londër – takim i “koalicionit të gatshëm” për mbështetjen e Ukrainës.
“Ukraina do t’i ketë mjetet që i nevojiten për të vazhduar luftën për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, për mbrojtjen nga agresioni rus.”, - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Do të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të siguruar fundin e vrasjeve dhe paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
Në kulmin e sulmeve të intensifikuara në Ukrainë, BE dhe ShBA kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë. Sipas Putinit, veprimet e Uashingtonit janë një akt armiqësor që mund të kthehet si bumerang.
“Kjo është një vepër armiqësore ndaj Rusisë. Është e qartë. Nuk ndihmon në forcimin e marrëdhënieve ruso-amerikane që sapo kanë filluar të rikuperohen. Një veprim i tillë i administratës amerikane patjetër do t’i dëmtojë marrëdhëniet midis Rusisë dhe ShBA-së.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Në një moment tensionesh të shtuara, Lituania konfirmoi se avionë ushtarakë rusë kishin shkelur hapësirën ajrore. Vendet baltike druhen se agresioni rus mund të ketë pasoja më të gjera për sigurinë.
“E dënoj ashpër shkeljen e fundit të hapësirës ajrore lituaneze nga një avion luftarak dhe një mjet transportues i Federatës Ruse, nga rajoni i Kaliningradit. Kjo është një shkelje brutale e së drejtës ndërkombëtare dhe e paqes territoriale të Lituanisë dhe ne duhet të reagojmë ndaj kësaj.”, - u shpreh presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda.
Bashkimi Evropian planifikon të ndërtojë një “mur dronësh” deri në vitin 2027 si pjesë e strategjisë së re të mbrojtjes kundër kërcënimeve nga Rusia. Projekti përfshin teknologjinë e dronëve, mbrojtjen ajrore dhe atë hapësinore.
ARMEND MURSELI
