Maqedoni

Vajgël për “Kumanovën”, anëtarësimi në BE dhe NATO sjell stabilitet rajonal

25.05.2015 12:51

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgël, e vlerëson si të komplikuar situatën në Maqedoni...

Në një intervistë për “Veçernji list” të Kroacisë, Vajgël thotë se vendi ka probleme të shumëfishta dhe brenda grupeve etnike ka interesa që janë të ndikuara kryesisht nga jashtë.
 
Vajgël thotë se edhe ideja e “Shqipërisë së madhe” ekziston, megjithëse askush nuk e pranon një gjë të tillë.
 
Por, sipas tij, edhe islami radikal po lë gjurmët e veta në Maqedoni dhe rajon. Ai shton se BE tash e ka kuptuar se situata në Maqedoni është e rrezikshme, madje mund të përshkallëzohet në të gjithë Ballkanin. 
 
“Konsiderohet se për shkak të “Kumanovës” në institucionet evropiane e kanë kuptuar se situata është shumë e rrezikshme, se me atë mund të manipulohet nga jashtë dhe mund të rritet një luftë rajonale. Unë këtë asnjëherë nuk e kam përjashtuar dhe besoj se stabiliteti i rajonit është vetëm anëtarësimi në BE dhe NATO edhe pse kam rezerva në lidhje me NATO-n si polic global” – tha Valjgël. 
 
Sa i përket bisedimeve me ndërmjetësim evropian që po zhvillohen në Bruksel dhe Strasburg, Vajgël thotë se pjesëmarrësit në këto bisedime janë të vetëdijshëm për përgjegjësitë që Maqedonia duhet të marrë, që të fillojë procesin e anëtarësimit në BE.
 
Shkupi ka rezultate solide, në aspektin ekonomin janë bërë reforma të cilat BE i ka kërkuar edhe pse ka një hendek ndërmjet ligjeve dhe praktikimit të tyre, në veçanti sa i përket shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit, mediave dhe të drejtave të pakicave.
 
Por, ai ka hedhur poshtë shkrimet në disa media se Brukseli ka një konsensus sa i përket kërkesës për largimin e kryeministrit Gruevski nga kreu i ekzekutivit.
 
“Konsensus i tillë nuk ekziston. Ekziston konsensus që të hetohen deklaratat e personave të përfshirë në përgjime dhe ata që vërtetohen se kanë bërë vepra penale të bartin përgjegjësinë politike dhe të dënohen. Simpatitë e politikës evropiane janë simetrike, në mënyrë të barabartë ka prej atyre që flasin se qeverinë mund ta ndërrojnë vetëm me zgjedhje, kurse të tjerë të cilët thonë se duhet të dëgjohet zëri i popullit”- theksoi Vajgël. 
 
Vajgël pohon se ndërmjetësuesit evropianë nuk kanë për detyrë të japin propozime për zgjidhje. Rreth asaj duhet të merren vesh në Shkup, shton ai.
 
Eurodeputeti Vajgël nuk e di ende se si do të jetë rezultati i bisedimeve mes aktorëve politikë në Maqedoni.
 
Por, thotë se politika në Shkup duhet ta ketë të qartë se nëse para verës nuk arrihet ndonjë zgjidhje për krizën, Maqedonia do të mbetet pa ftesë për të filluar bisedimet për anëtarësim në BE, e kjo është rrezik i madh.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU