Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Kasami vazhdon fushatën për kreun e Tetovës
Kandidati për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami...

Kandidati për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, i shoqëruar nga zyrtarë të koalicionit VLEN, ka vazhduar fushatën në takime me qytetarët e Tetovës. Ai tha se vazhdon fuqishëm fushatën me synimin për të konfirmuar fitoren e rrethit të parë, që ai të jetë kryetar i Tetovës edhe në katër vitet e ardhshme. Kasami tha se në të gjitha komunat ku garojnë në rrethin e dytë, kandidatët e koalicionit VLEN, përfshi edhe Tetovën, futen si fitues.
“Programin të cilin e kemi përpiluar dhe i cili ka qenë shumë afër kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, dhe sigurisht një besim të cilin e kemi marr që ky program dhe këta kandidatë më së miri do t’i realizojnë premtimet e tyre dhe do të zgjidhin hallet e qytetarëve. Si VLEN do të vazhdojmë edhe më fuqishëm që në raundin e dytë në balotazh të konfirmojmë rezultatin e parë dhe që rezultati të jetë i qartë.”, - deklaroi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tha se gjatë realizimit të projekteve si kryetar aktual i komunës, asnjëherë nuk ka bërë diskriminim dhe ka realizuar projekte edhe në vendbanimet apo lagjet ku jetojnë edhe qytetarë shqiptarë, edhe maqedonas apo romë.
Ai tha se edhe në mandatin e ardhshëm ka për qëllim t’u shërbejë qytetarëve të Tetovës, pa marr parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare apo politike.
“Kam përfaqësuar dhe vazhdoj të përfaqësoj të gjithë qytetarët e kësaj komune. Më së miri qytetarët e mi e dinë se si kryetar i komunës në asnjë moment nuk kam bërë as diskriminim politik, etnik dhe fetar. E dini se kam realizuar projekte edhe në ato fshatra, të cilat kanë fituar oponentët tanë, kam realizuar projekte edhe në ato zona të komunës të cilat kanë qenë me shumicë të komunitetit maqedonas, rom dhe gjitha komuniteteve. Për mua qytetarët janë në rend të parë.”, - theksoi kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami tha se në këtë periudhë do të vazhdojë të trokasë edhe në atë dyer në të cilat nuk ka arritur të trokasë në rrethin e parë, për ta promovuar programin dhe ofertën e tij, për të treguar se në katër vitet e ardhshme Tetova do të jetë një qytet i zhvilluar.
Sa u përket pretendimeve të kreut të BDI-së, se AKI i ka fituar zgjedhjet, Kasami thotë se zgjedhjet lokale janë për kryetarë komunash, pasi ata menaxhojnë me komunat, ndërsa ka pasur raste kur kryetarë komunash kanë udhëhequr edhe pa e pasur këshillin komunal.
Sa i përket deklaratës së Ahmetit, i cili i quajti shoqatë e Gazimestanit, Kasami tha se politikat e përbaltjes dhe ofendimit të oponentëve kanë treguar edhe në të kaluarën se nuk kanë dhënë rezultate.
Kasami thotë se pas këtij rezultati, Ahmeti duhet të tërhiqet, pasi në politikë ka edhe fitore edhe humbje. Sa i përket përkrahjes nga VMRO, Kasami thotë se në rrethin e parë ka marr rreth katër mijë vota më shumë se kundërkandidati nga AKI dhe rreth dymijë vota më shumë se lista e tyre për këshilltarë komunalë, por nuk mund të identifikohet përkatësia politike, etnike apo fetare e votuesve. (FITORE DEMOLLI, TVM2)
