Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Mecinoviq nga “E Majta” vazhdon garën për Shkupin
E Majta me kandidatin e saj për kryetar të qytetit të Shkupit, Amar Mecinoviq....

E Majta me kandidatin e saj për kryetar të qytetit të Shkupit, Amar Mecinoviq, u premtojnë qytetarëve zgjidhje të problemit të ndotjes së ajrit dhe atë në disa faza, duke filluar nga pastrimi rrugëve dhe deri te bashkëpunimi me Ministrinë e Ambientit për të ulur ndotjen e ajrit që shkaktohet nga sektori industrial.
“Ndotjen e ajrit duhet ta ndalojmë aty ku fillon. Mendoj se kjo duhet të jetë në disa faza, në mënyra të ndryshme, para së gjithash duhet të fillohet nga pastrimi i rrugëve që nuk pastrohen rregullisht. Aty fillon ndotja me PM grimcat bazë me pluhurin, që nënkupton se në bulevardet tona duhet të ketë sistem automatik për pastrimin e rrugëve, duhet të shtohet numri i inspektorëve në qytetin e Shkupit.”, - deklaroi kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga E Majta, Amar Mecinoviq.
Mecinoviq, zgjidhje të problemit të komunikacionit të ngarkuar dhe ndotjes së ajrit, e sheh me revitalizim të transportit publik.
“Ne mendojmë se me stimulimin dhe revitalizimin e transportit publik në një drejtim të duhur, shkupjanëve do t’u jepet mundësia e një alternative për të shfrytëzuar transportin publik, pasi që momentalisht shkupjanët nuk kanë alternativë për transport publik, pasi që nuk është i sigurt, presin gjatë në stacionet e autobusëve, njerëzit nuk arrijnë në kohë në punë dhe janë të ngarkuar që të shfrytëzojnë makinat e tyre.”, - theksoi kandidati për kryetar të Qytetit të Shkupit nga E Majta, Amar Mecinoviq.
E Majta kërkon mbështetjen e të gjithë shkupjanëve, pasi që premton se kryetari i tyre, Mecinoviq, do të jetë kryetar për të gjithë dhe jo vetëm për votuesit e Së Majtës. (GAZMEND REXHEPI, TVM2)
