Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, VLEN kritika ndaj AKI-së

24.10.2025 19:40

Koalicioni VLEN ka vazhduar me kritikat...

Koalicioni VLEN ka vazhduar me kritikat në adresë të oponentit politik Aleancës Kombëtare për Integrim.

Politika mbi 20 vjet e ndërtuar me vetëpëlqim, mashtrime dhe arrogancë u shemb më 19 tetor si kulla prej letrave.

Fitoret e VLEN-it në Çair, Saraj, Haraçinë, Zhelinë, Tearcë dhe epërsia bindëse në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Bërvenicë e Dollnen janë përgjigjja e qartë e shqiptarëve ndaj PR-trukut “referendumi” që me muaj e trumbetonin treshja në agoni Ahmeti–Taravari–Sela, theksojnë nga VLEN-i.

Lëvizja “E di” kritika ndaj LSDM-së

Edhe Lëvizja “E di” me kritika ndaj LSDM-së, pasi siç thonë nga partia e Maksim Dimitrievskit, nën udhëheqjen aktuale, LSDM e përjetoi humbjen më të thellë në historinë e saj. Kandidatët e tyre nuk arritën të futen as në rrethin e dytë në pjesën më të madhe të komunave, përfshi Kumanovën, ku kandidati i LSDM-së përfundoi në vendin e katërt, theksojnë nga Lëvizja “E di”.

VMRO-DPMNE vazhdon fushatën në Krushevë

Ndërkohë kandidatët e VMRO-DPMNE-së kanë vazhduar fushatën për rrethin e dytë, përfshi komunën e Krushevës, ku kandidati i saj, Niko Çoneski, premton se nëse merr mandatin, do të angazhohet për revitalizimin e qendrës sportive rekreative dhe kthimin e shkëlqimit të Krushevës.