Uesli Klark konfirmohet si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së

24.10.2025 20:00

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Uesli Klark...

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Uesli Klark, është konfirmuar si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, mbrojtja e Hashim Thaçit njofton se është marrë miratimi nga qeveria e Shteteve të Bashkuara, që autorizon deklaratën dhe dëshminë e dëshmitarit të saj të fundit, Gjeneral Uesli Klark.”, thuhet në njoftimin e gjykatës. Paraqitja e Uesli Klarkut si dëshmitar i mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së konsiderohet si një nga më të rëndësishmet në procesin gjyqësor të Hagës.

Klark ishte komandat suprem gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1997 deri në vitin 2000.

Ai organizoi dhe mbikëqyri fushatën ajrore të NATO-s, e cila kishte në synim t’i jepte fund represionit dhe spastrimit etnik në Kosovë nga forcat serbe. Fushata e drejtuar nga Klark detyroi Sllobodan Millosheviqin të tërhiqte forcat serbe nga Kosova, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, si dhe kthimit të refugjatëve.