Botë
Irak, rifitohet kontrolli mbi Husaiba al-Sharqija
25.05.2015 13:11
Luftëtarët sunitë pro qeverisë thonë se kanë rimarrë qytetin Hussaiba al-Sharqiya, rreth 10 km nga Ramadi, me ndihmën e forcave paraushtarake shiite...

Milicitë shiite dhe forcat irakiane të sigurisë, së bashku me luftëtarë sunitë pro qeverisë, filluan dje një ofensivë kundër ekstremistëve, të cilët pas marrjes së Ramadit vazhduan shtrirjen në zonat në lindje të qytetit.
Në rajonin Khaldiya, sheiku sunit Mohammed thotë se është sprapsur avancimi i “Shtetit Islamik”.
Avionët bombarduan pozicionet e “Shtetit Islamik” në brigjet e lumit Eufrat, nga ku militantët zhvillojnë sulme me mortaja dhe snaiper për të ndaluar avancimin e forcave qeveritare.
Rënia e qytetit Ramadi javën e kaluar ishte humbja më e madhe këtë vit për forcat irakiane dhe ka ngritur dyshime rreth efikasitetit të strategjisë së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të luftuar grupimin militant sunit.
Një koalicion i udhëhequr nga ShBA po bombardon pozicionet e “Shtetit Islamik” pasi ISIS mori pjesë të Irakut dhe Sirisë dhe shpalli një kalifat që do të qeverisë të gjithë myslimanët.
Forcat qeveritare irakiane dhe milicitë shiite të mbështetura nga Irani përparuan kundër militantëve sunitë në veri të Bagdadit, në luginën e lumit Tigri, gjatë këtij viti, duke rimarrë qytetin e lindjes së ish diktatorit, Sadam Husein, Tikrit. Por, rebelët u kundërpërgjigjën me një ofensivë në perëndim të Bagdadit në zonën përgjatë lumit Eufrat.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
