Maqedoni
Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, Kasami vazhdon të shpalosë programin e tij
25.10.2025 13:03
Kasami thotë se parasheh projekte të shumta për përmirësimin e infrastrukturës...

Në kuadër të programit të tij për katër vitet e ardhshme, nëse merr përsëri mandatin, kandidati për kryetar të Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, thotë se parasheh projekte të shumta për përmirësimin e infrastrukturës. Ai poashtu premton edhe përfundimin e stadiumit të qytetit dhe ndërtimin e tre tereneve të reja futbollistike për ekipet lokale.
“Planifikojmë të realizojmë projekte që përfshijnë të gjitha sferat, duke nisur nga infrastruktura rrugore, depërtimi i dy bulevardeve, dy segmenteve të fundit të bulevardit ‘Ilinden’ dhe bulevardit ‘Bllagoja Toska’. Poashtu përfundimin e stadiumit të qytetit, me çka Tetova do të ketë një stadium ku ekipet lokale ‘Shkëndija’ dhe të tjerat, por edhe ekipi nacional, do të mund të luajë në lojërat ndërkombëtare.”, u shpreh kandidat i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami.
Në programin e Kasamit parashihet edhe ndërtimi i tre pishinave, dy prej të cilave, siç tha ai, tanimë kanë nisur të ndërtohen. Paoshtu Kasami thotë se planifikohet ndërtimi edhe i gjashtë sallave sportive. Në fushën e arsimit, sipas tij, parashihet ndërtimi i dy shkollave të mesme dhe tre objekteve të shkollave fillore. Në programin e Kasamit parashihet edhe ndërtimi i teleferikut nga Tetova deri në Kodrën e Diellit. Kasami njëherit thekson se në programin e tij është paraparë edhe riparimi i rrjetit të ujësjellësit. Sipas tij, në bazë të strategjisë për furnizim me ujë të paraparë në programin e tij, Tetova do të jetë një ndër qytetet më mirë të furnizuara me ujë.
“Planifikojmë riparimin e gjithë rrjetit të ujësjellësit. Në Tetovë veç më po ndërtohet një rrjet i ri në lagjen jashtë Vardarit. Ka nis ndërtimi i gypit kryesor, nga filter stacioni deri te rezervuari mbi qytet. Riparimi i rrjetit të furnizimit me ujë nga Leshnica deri tek filter stacioni. Por, ajo që është më me rëndësi, instalimi i ujëmatësve në gjithë qytetin, me çka përfundimisht në katër vjeçarin e ardhshëm Tetova do të ketë një furnizim stabil me ujë të pijshëm.”, tha Kasami.
Sa u përket ujrave të zeza, Kasami thotë se është paraparë një projekt mbi 40 milion euro, që përfundimisht të kyçen me kolektorin kryesor të ujërave të zeza katër fshatrat, Reçicë e Madhe, Reçicë e Vogël, Poroj dhe Xhepçishtë, si dhe qyteti. Me filter stacionin, Tetova do të jetë një qytet më i pastërt dhe Pollogu do të ketë tokën më të pastërt për t’i kultivuar produktet bujqësore, thekson Kasami. Poashtu në cilësinë e kryetarit aktual të komunës, Kasami thotë se në realizim e sipër janë katër projekte kapitale për ujërat atmosferike, me çka, sipas tij, Tetova përfundimisht do të jetë një qytet që nuk do të ketë problem me vërshimet nga rreshjet e mëdha të shiut.
Përveç Kasamit, garën e vazhdojnë edhe kandidatët tjerë të koalicionit VLEN në komunat ku garojnë në rreth të dytë, përfshi Dibrën, komunën e Dollnenit, atë të Bogovinës, komunën e Bërvenicës, si dhe vazhdojnë të mbështesin kandidatin e pavarur Mendi Qyra në Strugë.
FITORE DEMOLLI
