Maqedoni

Mbeturinat pushtojnë Shkupin, qytetarët kërkojnë pastrim të përditshëm

25.10.2025 13:50

Mbeturinat kanë pushtuar çdo cep të Shkupit...

Pamje të tmerrshme në kryeqytet. Mbeturinat kanë pushtuar çdo cep të Shkupit, ndërsa në shumë lagje ato vazhdojnë të qëndrojnë të derdhura në trotuare dhe rrugë. Qytetarët ankohen për erën e rëndë që përhapet dhe rrezikun nga ndonjë infeksion.
 
“Era e mbeturinave pengon, po të ishte më nxehtë do të ishte edhe më keq për neve.”, u shpreh një qytetare.
 
Në disa zona, gjendja përshkruhet si “katastrofale”. 
 
“Katastrof në të gjitha anët. E shoh, gjethet i mbledhin nga njëra anë e nga tjetra kontenjerët nuk i pastrojnë aspak. Duhet të merren masa, por askush nuk është duke marrë masa. Katastrof është.”, u shpreh një qytetar.
 
Në lagjen e Kisella Vodës, pastrimi ka filluar, por qytetarët theksojnë se kjo është bërë shumë me vonesë.
 
“Duheshte qysh më herët, jo tani. Fotografinë e dini, në të gjithë Shkupin ishte e njëjtë.”, u shpreh një qytetar.
 
“Mendoj se pastrimi i kontenjerëve duhet të jetë aktivitet i përditshëm.”, u shpreh një qytetar.
 
Disa banorë përpiqen të mbajnë pastër ambientin me mundësitë që kanë. 
 
“Asgjë, as nuk i mbledhin as nuk i pastrojnë. Unë nuk i hedh mbeturinat, dy thasë më qëndrojnë në tarracë vetëm që të mos ndot qytetin.”, u shpreh një qytetar.
 
Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se gjendja epidemiologjike është e qëndrueshme, por u rekomandon qytetarëve të përdorin maska dhe doreza gjatë hedhjes së mbeturinave, të lajnë duart rregullisht dhe komunave të kryejnë dezinfektim dhe deratizim shtesë. Mbetet të shihet se në periudhën në vazhdim a do të përmirësohet gjendja me mbeturinat.
 
ARMEND MURSELI