Maqedoni

Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, LSDM kërkon mbështetje në Dojran dhe Aerodrom

25.10.2025 14:14

LSDM-ja opozitare ka vazhduar fushatën në komunën e Dojranit dhe Aerodromit...

Kandidati i LSDM-së për Komunën e Dojranit, Risto Xhinev, premton se gjatë katër viteve të ardhshme të pushtetit lokal në Dojran, do të ketë prioritet zhvillimin e turizmit dhe hotelerisë, si dhe përkushtim në mbajtjen e higjienës. Vlerëson se në rrethin e dytë do ta fitojë besimin e qytetarëve të Dojranit, sepse programi i tij është real dhe i zbatueshëm si për Dojranin e Ri dhe të Vjetër, ashtu edhe për vendbanimet përreth. Xhinev theksoi se kanë arritur që çdo qytetar të jetë në vend të parë dhe se ashtu do të jetë edhe në katër vitet e ardhshme. Tha se nuk vepron me kërcënime, gënjeshtra dhe shantazhe, por me ndershmëri, përkushtim dhe përgjegjësi, dhe se do të japë gjithçka që Dojrani të njihet si qendër turistike, ndërsa banorët e tij të kenë një komunë të zhvilluar. Paralajmëroi edhe disa projekte kapitale.
 
“Do të bëjmë rikonstruksionin e brendshëm të Shtëpisë së Kulturës në Dojranin e Ri, si dhe modernizimin dhe rikonstruksionin e stadiumit të qytetit në Dojranin e Ri dhe të skenës verore në Dojranin e Vjetër. Këtu dua të përmend edhe projektet si rruga e qasjes deri te plazhi ‘Nikoliq’, në gjatësi prej dy kilometrash, me korsi për këmbësorë dhe me ndriçim, në mënyrë që edhe ky vend bregdetar të marrë potencialin që e meriton dhe të zhvillohet për turizëm.”, u shpreh kandidati i LSDM-së për komunën e Dojranit, Risto Xhinev.
 
Kandidati për kryetar të Komunës së Aerodromit nga radhët e LSDM-së, Aleksandar Trajanovski, thekson se programi i tij bazohet në një jetë më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë banorët e komunës. Ai paralajmëroi rikonstruimin e çerdhes në Lisiçe, më shumë gjelbërim, pajisje urbane, higjienë dhe siguri më të madhe. Ai gjithashtu njoftoi për subvencione për sisteme ekologjike të ngrohjes në amvisëri. Në Lisiçen e Epërme, tha ai, do të punohet në një plan të ri urbanistik ku do të vendoset edhe kanalizimi i ri atmosferik. Trajanovski shtoi se do të gjendet një zgjidhje efikase për deponitë e egra.
 
“Në Lisiçen e Poshtme dhe të Epërme do të ndërtojmë shtigje për biçikleta, do ta zgjerojmë dhe ndriçojmë rrugën që i lidh të dy lagjet, si dhe do të sigurojmë zbrazje të rregullt të kontejnerëve dhe shportave shtëpiake. Do të vendosim çezma publike për ujë dhe shporta për mbeturina. Do të bëhet rikonstruimi i rrugëve dytësore dhe pastrimi i thellë i mbeturinave dhe deponive të egra, posaçërisht rreth kishës dhe lumit Vardar. Këto masa janë pjesë e vizionit tim për një komunë të Aerodromit më të pastër, më të sigurt dhe më humane, ku çdo pjesë e komunës do të ketë trajtim të barabartë dhe zgjidhje reale për problemet e qytetarëve.”, u shpreh kandidati i LSDM-së për Aerodromin, Aleksandar Trajanovski.
 
Kandidatët e LSDM-së, Risto Xhinev dhe Aleksandar Trajanovski, u bënë thirrje qytetarëve që më 2 nëntor të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për komuna të rregulluara, të pastra dhe të sigurta.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI